Mjekët turq trajtojnë 12 fëmijë me probleme të lindura në zemër

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në kuadër të një misioni humanitar nga organizata ndërkombëtare Muntada Aid, me pjesëmarrjen e një ekipi të specializuar të mjekëve nga Turqia, po trajtohen 12 fëmijë me probleme të lindura në zemër.
Në bashkëpunim të ngushtë me Klinikën e Pediatrisë, Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, Klinikën e Anestezionit dhe Klinikën e Neonatologjisë, u realizua me sukses ndërhyrja e parë e këtij lloji në Ballkan, trajtimi kirurgjikal i një të porsalinduri me atresion të arteries pulmonare, një gjendje e rëndë kardiake që rrezikon jetën.
“Falë përkushtimit të profesionistëve tanë dhe bashkëpunimit të frytshëm me ekipin turk, ky intervenim i ndërlikuar përfundoi me sukses dhe i dha foshnjës shansin për një jetë normale”, thuhet në njoftimin e bërë nga QKUK.
Tutje, thuhet se ky operacion është pjesë e një misioni humanitar që ka për synim ofrimin e trajtimit për 12 fëmijë me sëmundje të rënda kardiake, të cilët aktualisht po operohen në QKUK, nga kardiokirurgë dhe specialistë nga Turqia.
“ShSKUK shpreh mirënjohje të thellë për kontributin e organizatës Muntada Aid, për përkushtimin dhe mbështetjen e tyre në shërbim të fëmijëve tanë, si dhe për mjekët turq që po japin ekspertizën e tyre më të mirë në këtë mision jetik.
Veçanërisht falënderojmë ekipin mjekësor nga Turqia dhe mjekët tanë të përfshirë në këtë sukses të madh,Prof. dr. Ilker Yucel, kardiolog,Prof. dr. Halil Demir, kardiolog,Prof. dr. Oktay Korun, kirurg kardiak, Dr. Abid Karagoz, anesteziolog dhe Dr. Ramush Bejiqi dhe ekipin vendor të mjekëve dhe stafit përcjellës. Emre Ozturk, teknik i anesteziologjisë, Ercan Ersoy, perfuzionist, Husnyie Kaya, infermier i anestezisë dhe kujdesit intensiv, Musa Turgut, teknik i laboratorit të kateterizimit”, thuhet tutje./Telegrafi/