Mjekja e specializuar shqiptare nga Berlini tregon për specifikat e vaksinës ndaj COVID-19

0

        Prej disa javësh vëmendja e shkencës është përqendruar te krijimi i vaksinës për COVID-19. Por çfarë specifikash ka krijimi i një vaksine? Për këtë dhe problematika të tjera mjekja Brunilda Alushi e specializuar në mjekësi të brëndshme dhe kardiologji në klinikën universitare Charite´ në Berlin, Gjermani ka treguar disa nga detajet e tyre, karshi virusit COVID-19, përcjell albinfo.ch.

     Brunilda Alushi, MD, PhD, mbaroi studimet për mjekësi (MD) në Universitetin e Torinos në Itali, e më pas kreu studimet e doktoraturës në mjekësi molekulare që i dhanë titullin PhD. Më pas ajo specializohet në mjekësi të brëndshme dhe kardiologji në klinikën e famshme universitare Charite´ në qytetin e Berlinit, në Gjermani. Përveç kërkimeve shkencore në fushën e mjeksisë eksperimentale, ajo u trajnua në biostatistikë të avancuar në Universitetin e Shëndetit Publik Harvard T.H. Chan School of Public Health, në Boston, USA. Aktualisht kërkimet shkencore të Dr.Brunilda Alushi përfshijnë teknikat moderne të imazhingut të zemrës si ekokardiografia dy-dhe tredimensionale, rezonaca magnetike dhe TC-scanner e zemrës, si dhe teknikat përkutane transkatetër për trajtimin e sëmundjeve valvulare të zemrës. Me punën e saj shkencore ajo ka qenë fituese e disa çmimeve ndërkombëtare, ndër të tjera Best Poster Award në Kongresin Europian të Kardiologjisë ESC 2018 dhe fituese e vendit të parë për grantin europjan 2020 të Shoqërisë Europiane të Imazhit Kardiovaskular (European Association for Cardiovascular Imaging).

      Duke qenë se situata aktuale e infeksionit është nën kontroll dhe numri i të infektuarve është në rënie të dukshme. Bazuar në të dhënat, në Gjermani filloi gradualisht ulja e masave të lock-down dhe momentalisht vendi i është kthyer pothuajse normalitetit, me disa ndryshime të vogla në menaxhim nga shteti në shtet (çdo Bundesland=shtet gjerman, ka pavarësi vendosjeje, ngjashëm me shtetet amerikane). Shifra më e rëndësishme, e ashtuquajtur numri i reproduksionit, i cili tregon ecurinë e infeksionit, është aktualisht mbi 1. Ky fakt tregon se momentalisht numri i rasteve të reja nuk është ende në rënie. Meqënëse në Gjermani numri i të infektuarve ka qenë përgjithësisht i ulët, nuk pritet një rritje e mëtejshme e numrit të të infektuarve, shkruan gazeta Dielli.

Ajo tha se tema e vaksinës është tepër e rëndësishme.

      ”Ne duhet të jemi të kujdesshëm e të mos mendojmë se do ta kemi patjetër një vaksinë anti-CoViD19. Suksesi nuk është kurrë i garantuar në botën e shkencës. Disa viruse janë tepër të vështirë përsa i përket krijimit të një vaksine dhe aktualisht ende nuk e dimë nëse CoViD 19 i përket ose jo kësaj kategorie. Shpesh vaksinat e prodhuara kanë edhe probleme lidhur me toxicitetin pasi futen në trup. Megjithatë komuniteti shkencor i eksperteve virologë mendon se është e vlefshme të ndiqet rruga e prodhimit të vaksinës. Edhe nëse vaksina e prodhuar nuk do të ofrojë imunitet të plotë, ajo mund të japë mbrojtje të pjesshme duke e bërë sëmundjen më të lehtë. Dmth edhe nëse vaksina e prodhuar nuk është tepër efikase, mjafton të jetë aq efikase sa të ulet numri i fataliteteve nëse vaksinohet një numër i mjaftueshem qytetarësh” tha ajo.

      Kujdesi për shëndetin është një e drejtë themelore e mbrojtur me kushtetutë. Një shoqëri e shëndetshme është shoqëri e fortë dhe e pasur. Në lidhje me CoViD19, situata është tepër dinamike dhe duhet marrë seriozisht. Rreziku i vdekshmërisë mbetet i lartë, ose shumë i lartë, për shtresa të caktuara të popullsisë në rrezik, si të moshuarit ose qytetarët me sëmundje kronike.

      “Rreziku i infeksionit: varet tepër nga përhapja krahinore, kushtet e jetesës dhe sjellja individuale. Dmth në zonat me popullsi të lartë e numër të lartë të infektuarish, në kushte jetese ku shumë persona jetojnë së bashku në të njëjtën banesë (p.sh hospicet) dhe në raste të mos mbajtjes së masave mbrojtëse, rreziku i infeksionit është tepër i lartë. Rëndshmëria e sëmundjes: në rastet më të shumta infeksioni kalon lehtë. Probabiliteti që të shkallëzohet në sëmundje të vështirë rritet me moshën dhe prezencën e sëmundjeve preeksistuese. Pesha e CoViD 19 në sistemin shëndetësor: edhe kjo varet nga shpërdarja gjeografike e rasteve pozitive, nga kapaciteti i sistemit shëndetësor dhe masat parandaluese të marra në kohë. Përfundimisht i këshilloj bashkëatdhetarët që jetojnë në SHBA që të informohen në lidhje me pikat e mësipërme në zonën në të cilën jetojnë e të modifikojne sjelljen në bazë të probabilitetit të rrezikut në zonën përkatëse” u shpreh ajo. /Albinfo.ch./

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *