MKRS-ja ndan 500 mijë euro për programet për Tregun e Punës, për 400 të rinj punëkërkues
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Vlora Dumoshi, dhe Përfaqësuesja e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Maria Suokko kanë nënshkruar marrëveshjen e financimit mes MKRS-së dhe UNDP-së për zbatimin e projektit Programet Aktive të Tregut të Punës 2, konkretisht programit të praktikës në punë në Kosovës.
Programi do të ndihmojë rreth 400 të rinj të regjistruar në Agjencinë e Punësimit, si punëkërkues që të bëjnë praktikë në punë, në sektorin privat por edhe në institucione publike dhe kështu të aftësohen profesionalisht, ndërkaq, financimin për 6 muaj do ta bëjë MKRS-ja me një fond prej gjysmë milioni euro, që do të zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Do të synohen ato kompani dhe ato institucione të cilat pas përfundimit të punës praktike do të kenë mundësi të ofrojnë mundësi të punës më afatgjatë.
Me këtë rast, Ministrja Dumoshi, ka vlerësuar se nëpërmjet kësaj marrëveshje, bëhet e mundur përkrahja e të rinjve në tregun e punës, dhe se MKRS-ja ka treguar gatishmëri të përfshihet në këtë kontribut për mbështetjen e të rinjve të Kosovës.
“Ne jemi befasuar sivjet, ndonëse kohë pandemie, por interesimi i të rinjve për programet e MKRS-së ka qenë shumë i madh. Vetëm në fushën e edukimit për ndërmarrësi, ne kemi paraparë të certifikojmë 400 të rinj, por për shkak të interesimit të lartë, kemi shpërndarë mbi 1200 certifikata për të rinjtë. Për planet për vitin e ardhshëm ne do të rrisim buxhetin për trajnime për të rinjtë. Duke e parë tërë këtë interesim si dhe vështirësitë që kanë të rinjtë, ne bazë të kapaciteteve që kemi për këtë vit, kemi kontribuuar për të rinjtë në punën praktike që t’i ndihmojmë ata”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.
Ndërkaq, përfaqësuesja e UNDP-së, Suokko, shprehu falënderimin e ministres Dumoshi dhe të MKRS-së për besimin ndaj UNDP-së, që ajo ta zbatojë projektin për Tregun e Punës.
“Për shkak të pandemisë, të rinjtë janë ndër më të prekurit dhe kjo përkrahje që po jepni do të jetë e dobishme për ta, andaj ju falënderoj për reagimin e shpejtë dhe gatishmërinë që në kohë krize keni ndërmarrë veprime për përkrahjen e të rinjve”, u shpreh Suokko./arbresh.info