Mosekzekutimi i pagave, SBASHK-u: Do ta çojmë në Gjykatë këdo që e ka marrë vendimin  

                            Ndonëse të premten kanë pritur që në llogaritë bankare të tyre të dalin pagat, mirëpo as sot, 4 tetor, mësimdhënësit që grevuan nuk e kanë marrë pagën për muajin shtator. Për të marrë këtë rrogë, si kusht po flitet se është kompensimi i orëve mësimore, për çka SBASHK-u javë më parë ka treguar që nuk do ta bëjë.Për shkak të mosekzekutimit të pagave, kjo sindikatë pritet të çojë në Gjykatë këdo që e ka marrë vendimin për pagat e shtatorit.Lajmin e ka konfirmuar Ymer Ymeri nga SBASHK-u, i cili tha se kjo është cenim i të drejtave të punëtorëve.“Është cenim i të drejtave të punëtorëve por njëkohësisht edhe shkelje e ligjeve ekzistuese në Kosovë në bazë të kërkesës që e kemi bërë, në rast se Qeveria na dërgon një vendim të marrë nga kushdoqoftë, atëherë ne do të nisim procedurat gjyqësore”, tha Ymeri për Gazetën Express.Sipas tij vendimi për mosekzekutimin e pagave është tentim i Ministrisë së Financave që ta shkatërrojë anëtarësinë e SBASHK-ut.“Veprimi për mos me i ekzekutu pagat për mësimdhënëst është një tentim i Ministrisë së Financave për ta shkatërruar anëtarësinë e SBASHK-ut”, deklaroi Ymeri.