MPOSHTJEN E AGRESIONIT RUS NË UKRAINË MUND TA NDIHMOJË SHUMË EDHE DEZERTIMI –Shkruan;Prof . Dr. Milazim KRASNIQI

                            Putini shpalli mbrëmë mobilizimin e pjesërishëm për luftën në Ukrainë. Menjëherë filloi përpjekja për ikje masive e meshkujve nga Rusia. Biletat e avionëve dhe të trenave për jashtë Rusisë, u shitën në çast. Kjo e denoncon ideologjie imperiale dhe patriotizmin e rremë, të cilin e pompon propaganda shtetërore. Pra, ky është një zhvillim, që sinjalizon se gjendja në Rusi është më e keqe nga sa duket dhe mund të jetë në prag të shpërthimit të padëgjueshmërisë qytetare a rebelimit. Si duket rusët e sotëm nuk e kanë problem të shohin në televizion se si vriten ukrainasit, gjë që flet për indoktrinimin e rëndë përkatësisht për moralin e tyre të ulët, por nuk duan të vdesin vetë. Me gjithë censurën mbi mediet, ata me siguri e dinë që kauza ruse në Ukrainë është e mbrapshtë, e padrejtë dhe e dyta, e dinë se nuk mund të fitohet lufta kundër tërë Perëndimit.

Sidoqoftë, nëse ky trend i ikjes së rusëve nga Rusia intensifikohet, atëherë mund të përsëritet një episod i njohur nga historia ruse: dezertimet e ushtarëve rusë nga frontet gjatë Luftës së Parë Botërore patën ndikim në përmbysjen e carit rus. Sinjalet janë që edhe ikjet e tashme masive nga Rusia mund ta përmbysin Putinin dhe regjimin e tij kriminal. Mbetet edhe një hallkë në këtë skenar: dezertimi nga ushtria ruse që po lufton në Ukrainë. Nëse fillon edhe dezertimi i ushtarëve nga fronti, atëherë Putini dhe regjimi kriminal i tij janë të falimentuar.

Këtë gjë do të duhej ta inkurajonte jo vetëm Perëndimi, po edhe ajo që quhet bota muslimane, meqë në radhët e ushtrisë ruse është një numër i madh i ushtarave muslimanë. Pjesëtarë në ushtrinë ruse në Ukrainë ka jo vetëm nga Çeçenia, po me siguri edhe nga Ingushetia, Dagestani e Tatarstani. (Tatarstani, republikë me mbi tetë milionë banorë në vitet nntëdhjetë, pati shpall pavarësinë, por ajo nuk iu pranua as nga Rusia e as nga OKB.) Sipas statistikave, nga njëqind e katërdhjetë milionë banorë sa ka Rusia, vetëm 75% e tyre janë rusë etnikë. Ndërsa në aspektin demografik, popujt jorusë, janë me mosha më të reja dhe me rritje më të madhe demografike. Pjesëtarët muslimanë në ushtrinë ruse, realisht janë në një luftë të huaj dhe faktikisht janë duke e ndihmuar armikun e vet më të madh. Çeçenia është storia më e hidhur në këtë aspekt, sepse krimet që ka bërë Rusia në Çeçeni, në dy lyftërat ruso-çeçene, veçmas në të dytën (1999-2000) kanë qenë mizore, shkatërrimtare. Prandaj ata njerëz të marrë peng në ushtrinë ruse. Dikush nga instancat fetare relevante të botës muslimane duhet t’i inkurajojë që të braktisin atë luftë të ndyrë, që nuk ka të bëjë as me kombet e tyre e as me fenë e tyre. Atyre ata duhet t’u thonë se nëse janë ndopak besimtarë, ata duhet të mendojnë se ku do të shkojnë në atë botë, duke vrarë njerëz të pafajshëm, që janë në vendin e vet dhe që nuk u kanë bërë asnjë të keqe. Të vrasësh njerëz të pafajshem për Putinin dhe interesat pansllaviste të Rusisë, e të synosh të gjesh shpëtimin te Zoti, këto nuk shkojnë bashkë. Ata duhet të pyeten: për në cilin rreth të ferrit jeni nisur, duke marshuar mbas një krimineli të krisur, pas Kadirovit?!

Shkurt: shenjat e para janë që dezertimi mund ta ndihmojë fitoren e luftës kundër imperializmit rus edhe kësaj here. Vetëm duhet që Perëndimi dhe bota muslimane ta stimulojnë. Pra, duhet të punojnë bashkë në këtë çështje. Nuk kanë pse duhen, nëse nuk duan të duhen, për shkak të problemeve të tjera. Por, duhet të punojnë bashkë, sepse fitorja e Putinit do të ishte shkatërrimtare edhe për Perëndimin e edhe për botën muslimane. Përveç hakmarrjeve ndaj popujve muslimanë të Kaukazit, në republikat ish sovjetike, ambicia imperiale ruse do të mund të drejtohej edhe kundër Turqisë, me ëndrrën e vjetër pansllaviste, për ta pushtuar Stambollin dhe për ta bërë realitet “Romën e Tretë.” Në Luftën e Parë Botërore, Stambollin nga pushtimi rus e kanë shëptuar dezertorët përkatësisht fitorja e Revolucionit Bolshevik, ngase plani kriminal Sajks-Piko, ia pat bërë dhuratë Stambollin Rusisë cariste. Jo vetëm ky rast po edhe shumë të tjerë vërtetojnë se sa herë Perëndimi dhe bota muslimane kanë qenë në grindje, ka përfituar Rusia. (21 shtator 2022)/qendrapress.com/