MSH jep detaje për mospagesën e 300 euro për punonjësit e SHSKUK-së
Ministria e Shëndetësisë është deklaruar rreth mospagesës së 300 eurove për punëtorët e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, njofton Insajderi.
Nga MSH kanë njoftuar se arsyeja e mospagesës deri më tani e shtesës prej 300 eurove për kategoritë sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për punonjësit e SHSKUK-së, është se listat e ardhura në MSh nga SHSKUK, kanë pasur mospërputhshmëri me kriteret e vendimit të Qeverisë dhe udhëzimet e saj.
Për këtë arsye, SHSKUK si organizatë buxhetore, i ka kthyer listat që të rishikohen nga menaxherët që njëjtat të jenë konform vendimit të Qeverisë.
Nëpërmjet një komunikate nga kjo ministri thonë se përderisa nuk bëhen rishikimet e duhura në këto lista, nuk do të mund të kryhen pagesa.
“Siç dihet, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtesa mujore në vlerë prej 300 euro ka të bëjë me mjekët, infermierëve dhe teknikëve të cilët janë marrë drejtpërdrejt me trajtimin e pacientëve me Covid-19 dhe me kategoritë e profesionistëve nga institucionet si IKSHPK-ja, Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, Departamenti i Shëndetësisë në Burgje, SHSKUK dhe Spitalet e përgjithshme si njësi të saj, si dhe QKMF-të në Komuna. Sipas vendimit, organizatat buxhetore (të listuara më lart) janë përgjegjëse të përgatisin dhe aprovojnë me shkresë përmes Zyrtarit Kryesor Administrativ dhe Zyrtarit Kryesor Financiar të organizatës listat e personelit të tyre shëndetësor dhe të njëjtat t’i përcillen Ministrisë së Shëndetësisë, e cila pasi të konstatojë përputhshmërinë me kriteret e vendimit dhe udhëzimet e saj, i dërgon ato lista në Thesarin e Kosovës (Ministri të Financave) për procesim sipas Sistemit të Pagave, përkatësisht për pagesë retroaktive për dy muaj së bashku me pagën mujore të muajit gusht”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com