MSH miraton dhënien e vaksinës anti-COVID’19 te fëmijët e moshës 12 deri 15 vjeç
Ministria e Shëndetësisë ka miratuar dhënien e vaksinës anti-COVID’19 te fëmijët 12 deri 15-vjeç, përcjell Insajderi.com.Përmes njoftimit, MSh ka bërë të ditur se vaksinimi i fëmijëve të moshës 12 deri 15-vjeç mund të bëhet me kërkesë dhe vullnet të prindit apo kujdestarit ligjor.Sipas njoftimit, vaksinimi i kësaj grupmoshe mund të bëhet në të gjitha qendrat e vaksinimit anti-COVID’19 në Kosovë vetëm në prani të prindit, dhe se nuk ka nevojë për caktim paraprak të terminit.“Ministria e Shëndetësisë ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizim kundër COVID-19 për vaksinimin e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç (pa indikacione shëndetësore) me vaksinën Pfizer BioNTech, me kërkesë dhe vullnet të prindit apo kujdestarit ligjor.Vaksinimi i kësaj grup-moshe mund të bëhet në të gjitha qendrat e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë, vetëm në prani të prindit apo kujdestarit ligjor. Për vaksinimin e fëmijëve të kësaj grup-moshe, prindërit e tyre ose kujdestarët ligjor nuk kanë nevojë të caktojnë paraprakisht termin, por vetëm të paraqiten në qendrën e vaksinimit në komunën përkatëse”, thuhet ndër tjerash në njoftim.Ministria ka njoftuar se ky vendim është bazuar në rekomandimet e EMA, FDA, CDC, dhe në praktikat e shumë shteteve të cilat deri tash kanë arritur shkallë të konsiderueshme të vaksinimit të fëmijëve.“Përvoja nga shtetet që kanë nisur aplikimin e vaksinës të grup-mosha 12-15 vjeçe, flasin për siguri dhe efikasitet të lartë të kësaj vaksine edhe tek fëmijët, duke i mbrojtur ata nga të gjitha variantet e SARS-COV-2, përderisa efektet e mundshme anësore janë të pa përfillshme në raport me përfitimet nga vaksinimi. Ministria e Shëndetësisë rikujton se deri tash ka qenë i lejuar vaksinimi i grup-moshës 12-15 vjeçe me indikacione shëndetësore dhe i të gjithë qytetarëve të moshës mbi 16 vjeç”, thuhet në njoftim./Insajderi.com