Murati: Lufta jonë nuk ka qenë aksident historik, e as nuk ka zgjat dy muaj
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me deklaratën e tij në vitin 2016 për veteranët, ku kishte thënë se Kosovës po i kushtojnë më shumë veteranët se sa do i kishin kushtuar disa mercenarë.Murati përmes një shkrimi në Facebook tha se lufta në Kosovë nuk ka qenë aksident historik, e as nuk ka zgjatë dy muaj, andaj sips tij, nuk ka mundur të zhvillohet nga mercenarët.“Lufta dhe përpjekjet për çlirimin e Kosovës kanë filluar ditën e pushtimit të saj nga Serbia në vitin 1912. Kjo luftë ka pasur forma dhe karakter të ndryshëm në varësi të rrethanave: ilegal, luftarak, institucional e paqësor. Në vitet 1998/1999 kjo përpjekje ka kulmuar me kryengritjen e përgjithshme të udhëhequr nga UÇK-ja. Edhe kjo kryengritje nuk ka filluar nga qielli. Parapërgatitja e saj nëse do ta kufizonim në kohë, së paku e ka fillimin në vitin 1989 dhe ka zgjatur gjatë tërë viteve 1990’ me rëniet dhe ngritjet e veta. LPK/LPRK, Fronti i Rezistencës dhe LKÇK-ja kanë qenë organizmat politiko-ushtarak të cilat në mënyrën e vet kanë qenë pjesë e kësaj përpjekjeje. Si produkt i kësaj kohe dhe zhvillimeve brenda LPK-së ka lindur UÇK-ja. Nën emrin e UÇK-së janë shkrirë përpjekjet e gjeneratave të tëra”, tha Murati.Ai shtoi se njerëzit e UÇK-së, LPK-së, LKÇK-së me punën e tyre shumëvjeçare janë dëshmia se lufta jonë nuk është aksident historik, e as nuk ka zgjat vetëm dy muaj dhe rrjedhimisht as nuk ka mund të zhvillohet nga mercenarët.“Lufta jonë nuk ka qenë luftë e një shteti ekzistues, andaj nuk ka pasur karakter mbrojtës (gabimisht e thënë shpesh se po “luftohet për mbrojtjen e pragut të shtëpisë”) por ka pasur karakter çlirimtar. Lufta jonë çlirimtare ka qenë vullnetare, angazhimi ka qenë vullnetarë dhe vetëm ideja se madje dikush duhet të paguhet për këtë angazhim ka qenë herezi. Mercenarët nuk e di që diku kanë luftuar për çlirim. Ata në të shumtën kanë luftuar për pushtim. Po, ka pas luftëtarë të huaj në shumë luftëra çlirimtare, e pak ka pas edhe në këtë tonën, por ata kanë qenë vullnetarë e njerëz vullnetmirë që nuk kanë luftuar për para ashtu si çdo shqiptar vullnetar nga të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët përfshirë diasporën”, tha Murati.