Musliu, për sulmin terrorist në veri: Që nga prilli kemi qenë të informuar nga AKI’ja për zhvillime të tilla
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka rikujtuar në DPT te Fidani, në ATV, një deklaratë që ajo e kishte dhënë në prill të këtij viti, si Kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, për sulm të mundshëm ndaj Kosovës, i përmasave të tilla, siç është sulmi terrorist i ndodhur të dielën në Banjskë të Zveçanit.Ajo ka thënë se, në prill, kishte paralajmëruar për grupe të të rinjve serbë që po trajnohen në Rashkë, ndaj zhvillime të tilla kanë qenë të pritshme, shkruan Reporteri.net.“E kam thënë në prill të këtij viti, kam treguar që grupe të ndryshme të të rinjve serbë janë duke u trajnuar në Rashkë në aksione të ndryshme që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës. Që nga prilli kemi qenë të informuar për zhvillimet e mundshme dhe për ndjeshmërinë e sigurisë në veri të Kosovës dhe fatkeqësisht rezultoi të dielën me një tragjedi që, fatmirësisht, u parandalua që të mos jetë e përmasave tjera se çka ishte e planifikuar”, tha Musliu.Ndonëse pati skeptikë që e kritikuan dhe përqeshën këtë deklaratë të deputetes, ajo thotë se AKI funksionon vetëm me informacione të sigurta.“Në atë kohë kur unë e kam thanë deklaratën ka pasë skeptikë që edhe e kanë kritiku deklaratën time por unë s’e kam thanë pa qëllim dhe të paverifikume por se iu kam frikësuar një momenti të tillë siç na ndodhi të dielën dhe në momente të tilla s’guxojmë të themi kemi qenë të papërgatitur sepse Kosova është shtet qe 15 vite, ndërsa qe 25 vite është investuar shumë për profesionalizmin e Policisë së Kosovës dhe AKI-së”.Kur u pyet se a ekziston mundësia që Vuçiqi të mos ketë gisht në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, Musliu tha se “duhet të jesh naiv” për ta besuar një propagandë të këtij lloji, që po mundohet ta shesë vetë presidenti serb.“Duhet të jesh jashtëzakonisht naiv për t’i besuar një propagande të tillë sepse gjenerata jonë që e ka përjetuar gjenocidin serb, në asnjë rrethanë nuk mund t’u besohet deklaratave të Vuçiqit. Unë besoj fuqishëm që prapa skenarit qëndrojnë organet shtetërore të Serbisë, të thirrura nga Aleksandër Vuçiqi por gjithsesi rol kyç në krejt këtë s’duhet ta anashkalojmë edhe Vulinin, pjesëtar në listën e zezë të ShBA-ve ndërsa në Serbi ai udhëheq shërbimin sekret serb dhe ju e dini si e kanë ata qasjen ndaj Kosovës”.Konfirmimi i kësaj, sipas Musliut, është shpallja e Ditës së Zisë nga Vuçiqi për terroristët e vrarë në Banjskë. /Reporteri.net/.