Mustafa: E papranueshme, Kurti në vend se të veprojë u bën thirrje qytetarëve “aman kthejeni miellin në furra”
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka akuzuar Qeverinë për mosveprim në lidhje me krizën e disa produkteve bazike.Mustafa në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se Qeveria mund të ulë barrën tatimore të qytetarëve të Kosovës.Ai thotë se Qeveria nuk po vepron pavarësisht se dihet botërisht që kriza në Ukrainë e prek gjithë botën.“Ukraina është në luftë dhe ata si një nga eksportuesit më të mëdhenj të gurit në botë kanë vendosur ta mbajnë atë për vete, derisa Qeveria jonë deklaron se ne nuk afektohemi nga kjo situatë. Pra vetëm Kosova qenka e izoluar nga bota nga kjo krizë. Pajtohem që të mos ketë panik, por nuk mund të krijojmë iluzione se nuk prekemi nga ngritja e çmimeve të grurit”.
Ish-ministri i Bujqësisë thotë se është qesharake deklarate e Kurtit drejtuar qytetarëve që të kthejnë miellin në furra.Në vend që kryeministri të gjejë zgjidhje për krizën ai thotë “qytetarët të kthejnë miellin në furra”. E gjithë bota po thotë që ka krizë derisa ne po themi që s’ka. Tash a ka krizë a s’ka. Nëse ka krizë në nivelin global cilat janë veprimet e Qeverisë së Kosovës. Po e shohim që nuk ka asnjë veprim konkret pos thirrjes publike të kryeministrit “aman kthejeni miellin në furra”. Kjo është e papranueshme”, deklaroi Mustafa.Mustafa thotë se qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë 26 masa dhe këto kanë pasur efekt të menjëhershëm në treg.