Mustafa: Të mos shkohet në zgjedhje, presidenti të zgjidhet sa më shpejt
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka treguar arsyen e vizitës së tij në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se është takuar me deputetët 6 plus pasi që kanë mbetur pa grup parlamentar.
Jam takuar me deputetët e 6 plus, meqenëse si duket e kanë tash mangut një deputet dhe u morëm vesh që të koordinohemi me grupin tonë parlamentar sepse ashtu është edhe rregullorja e Kuvendit që të vazhdojnë deri të bashkëngjitet deputeti shtesë në mënyrë që prapë të konsolidohet grupi parlamentar”, u shpreh ai.
Mustafa ka folur edhe për çështjen e presidentit, derisa është shprehur se për këtë çështje duhet të gjindet zgjidhje sa më shpejtë në mënyrë që të mos shkohet në zgjedhje.
“Nuk kemi biseduar për presidentin akoma. Por sipas nesh çështja e presidentit duhet të zgjidhet sa më shpejt, jo të shkojmë në zgjedhje. Në fillim të dhjetorit do të mblidhemi me kryesinë për të biseduar për presidentin”, ka thënë Mustafa.