Myftiu Tërnava për Kurban Bajram: Paqja e mëshira e Zotit qoftë mbi ju dhe mbi familjet tuaja.

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, myftiu i Kosovës Naim Tërnava, ka mbajtur një konferencë ku ka uruar besimtarët myslimanë për këtë festë të shenjtë.
Në mesazhin e urimit, Tërnava uroi: “paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju dhe mbi familjet tuaja!”.
“Në këtë natë të madhe të Kurban Bajramit, kur zemrat dridhen nga madhështia e sakrificës dhe kur shpirti kërkon edhe më shumë afërsinë me Zotin, ju drejtohem me përulësi të thellë dhe dashuri të sinqertë në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve të saj dhe në emrin tim si Myfti i Republikës, për t’ju përcjellë për këtë festë kaq madhështore, festën e Kurban Bajramit, urimet më të përzemërta, duke e lutur Zotin e Madhërishëm që kjo ditë e bekuar t’ju gjejë me zemra të qeta, me shëndet dhe mirëqenie, me familje të bashkuara dhe me besim të thelluar në vlerat më të larta shpirtërore”, tha Tërnava në mesazhin e tij.
“Kurban Bajrami është përkujtim i sakrificës profetike të Ibrahimit a.s., i cili ishte i gatshëm që ta flijonte më të dashurin e tij për hir të Zotit të Madhërishëm, dhe i cili na mësoi se besimi i vërtetë nuk njeh kufij dhe as frikë nga sprovat, por gjen kuptimin më të lartë pikërisht në dorëzimin e plotë ndaj vullnetit hyjnor të Zotit xh.sh.. Në këtë ditë, zemrat e besimtarëve mbushen me mirënjohje dhe përkushtim, ndërsa duart e tyre shtrihen në ndihmë dhe bujari, ngase kjo festë është një akt që mishëron frymën e afërsisë me Zotin dhe përgjegjësisë ndaj shoqërisë”, theksoi ai.