Na ndajnë edhe dy ditë nga zgjedhjet!-Shkruan:-Agnesa Thaçi KURJESHI,magjistre në Shkencat Juridike

Na ndajnë edhe dy ditë nga zgjedhjet… Dita e fundit e fushatës zgjedhore në Prizren shënon përmbylljen e një periudhe të ngjeshur me aktivitete, takime dhe prezantime publike nga subjektet politike dhe kandidatët që garojnë për qeverisjen lokale. Sot partitë politike do të zhvillojnë aktivitetet e fundit në “Sheshin Shatërvan” për të përmbyllur komunikimin me qytetarët duke përçuar mesazhet e fundit të fushatës dhe duke kërkuar besimin për ditën e votimit. Këto aktivitete përfaqësojnë kulmin e garës demokratike përpara se të hyjë në fuqi periudha e “heshtjes zgjedhore” – 24 orë para votimit – gjatë së cilës ndalohet çdo formë e propagandës politike. Kjo fazë e përcaktuar nga Ligji për Zgjedhjet synon t’u lejojë qytetarëve hapësirë për të reflektuar lirshëm pa ndikime apo presione elektorale. Në një qytet si Prizreni me debat politik të gjallë dhe pjesëmarrje të lartë qytetare përmbyllja e sotme e aktiviteteve zgjedhore është edhe obligim ndaj ligjit dhe shenjë respekti ndaj kulturës demokratike. Kështu, dita e fundit e fushatës shënon fundin e garës politike dhe fillimin e fazës së qetësisë ku vendimi mbetet në duart e qytetarëve. Na ndajnë edhe dy ditë nga zgjedhjet/QendraPress/