Nagavci: Subvencionimi i librave mundëson transparencë të plotë, s’ka pasur asnjë ankesë zyrtare vitin e kaluar.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagvci, ka thënë se vitin e kaluar nuk kanë pranuar asnjë shkresë formale nga Drejtoritë e Arsimit që ndonjë nxënës ka mbetur pa libra, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka shtuar se arsyeja që subvencionimi i teksteve shkollorë do të vazhdojë edhe këtë vit, është sepse kjo formë mundëson transparencë të plotë dhe shmang raportimet për keqpërdorim me buxhetin e shtetit.

“MASHTI, kur ka filluar këtë proces, asnjë ankesë nga asnjë Drejtori Komunale të Arsimit (DKA) nuk e ka marrë në lidhje me subvencionimin. Besojmë që sivjet do të jetë shumë më e lehtë në aspektin teknik për prindërit. Vitin e kaluar nga asnjë komunë nuk kemi pranuar shkresë formale që numri i caktuar i nxënësve nuk ka pasur libra. Arsyeja është e thjeshtë, ju mundëson transparencë të plotë dhe shmang të gjitha raportimet për keqpërdorime me buxhetin e shtetit”, ka thënë Nagavci.

E sa i përket Komisionit Hetimor Parlamentar, Nagavci ka thënë se presin raportin i cili do të dalë nga ky komision, megjithëse garanton se procesi i subvencionimit ka qenë procesi më transparent.

“Ju e dini që ne e kemi përkrahur, unë personalisht e kam përkrahur. Mirëpres raportin që do të dalë nga ky komision. Si MASHT garantoj që ka qenë procesi më transparent”, ka thënë ajo.

Ndërsa sa i përket paralajmërimeve të SBASHK-ut për mundësinë e grevave, ministrja ka thënë se nuk është koha e as nevoja.

“Deklarata të përditshme e të vazhdueshme, konsideroj që nuk ka kohë as nevojë e as grevë. Zëvendësministri është takuar me kryetarin e SBASHK dhe i marrim me çdo seriozitet”, u shpreh Nagavci.

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka thënë se është viti dytë që MASHTI po subvencionon edhe për mjete mësimore, jo vetëm për libra.

Kelmendi shtoi se nuk kanë ende kalkulimet se sa do të jetë buxheti total, sepse ende nuk e dinë se sa do të jetë numri i aplikuesve.

“Është viti dytë që MASHTI po subvencionon edhe për mjete mësimorë jo vetëm tekste. Është obligim i joni që të ofrojmë qasje të barabartë për të gjithë. Janë mbi 218 mijë nxënës që përfitojnë nga kjo skemë, duke përfshirë edhe 5 vjeçarët që kanë dalë në klasën e parë. Besojmë që ky proces është me i thjeshtë”.  

“Shqetësimi i SBASHK-ut ka qenë furnizimi me tekste. Interes i SBASHK-ut e DKA-së është që nxënësit t’i kanë tekstet shkollor, për metodologjitë ne i kemi informuar qe është metodologjia me transparentë”, ka thënë ai.