Ndahen edhe 3.5 milionë euro për mbështetjen e disa kategorive nga Pako e Ringjalljes Ekonomike
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 3.5 milionë euro për pesë masa të Ringjalljes Ekonomike, mbi mbështetjen për punësim dhe ndihma sociale.Ministri i Financave, Hekuran Murati para kabinetit qeveritar bëri të ditur se cilat kategori do të vazhdojnë të mbështeten me ndarjen e këtyre mjeteve.“Propozim vendimi ka të bëjë me vazhdimin e pagesave nga Pako e Ringjalljes Ekonomike, janë masat 1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.5 sa i përket trajnimit dhe punësimit të të rinjve si dhe masa 3.1 për mbështetje ndaj familjeve të cilët kanë humbur familjarët nga COVID-19”, tha Murati.Ai shtoi se mjetet e ndara merren nga programi i Ringjalljes Ekonomike, nën programi me kod 29/300 dhe kategoria e shpenzimeve është subvencionet dhe transferet dhe ato ndahen në Ministrinë e Financave me kod 201 në kategorinë e shpenzimeve dhe subvencioneve dhe transfere në nën programet si në vijim:
1.Në shërbimet e punësimit me kod 43/100 ndahet shuma prej 1 milion euro për zbatimin e masave 1.1, 1.2 dhe 1.3
2.Në shërbimet e punësimit me kod 43/100 ndahet shuma prej 500 mijë euro për zbatimin e masës 1.5 si dhe
3.Ndihmat sociale me kod 00/500 ndahet shuma prej 2 milionë euro për zbatimin e masës 3.1. /Telegrafi/