Nderohet Dr. Vlora Ukimeraj Prizren, nga Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr.Daut Mustafa”në Prizren
Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr.Daut Mustafa”në Prizren, të mërkurën, ka mbajtur akademi përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprën e dr. Vlora Ukimeraj, neonatologe. Akademia përkujtimore është organizuar nën kujdesin e drejtoreshës ekzekutive, Dr. Narqize Arënliu Hoxhaj, e cila në fjalimin e saj ka vlerësuar punën dhe profesionalizmin e dr. Vlora Ukimeraj. ”Për aq kohë sa e kam njohur, doktoresha Vlora, ishte një mjeke e përkushtuar në punë, modeste, e dashur, e afërt, kolegiale dhe me përgatitje të lartë profesionale. Doktoresha Vlora, deri në momentet e fundit të jetës, nuk u ndal së punuari për të qenë në shërbim të pacientëve, në veçanti foshnjave të porsa lindura. Ajo nuk u dorëzua para sëmundjes së rëndë që kishte dhe ishte shembulli i një gruaje të fortë dhe një mjekeje të përkushtuar për punë dhe për të shpëtuar e përmirësuar jetën dhe shëndetin e të porsalindurve. Kjo dëshmon se dr. Vlora Ukimeraj, me përgjegjësi e përkushtim të madh, kreu të gjitha detyrat dhe obligimet që kishte para vetes, duke dhënë shembullin e mjekes së respektuar nga të gjithë dhe që do të na mungon të gjithëve, më së shumti foshnjave të porsalindura”, – tha në fjalimin e saj drejtoresha e spitalit, Dr. Narqize Arënliu Hoxhaj. Dr. Valbon Besimi, ka folur në emër të repartit të Neonatologjisë dhe Shoqatës së Neonatologëve, me vlerësimin se Dr. Vlora Ukimeraj ishte një profesioniste dhe bashkëpunëtore e respektuar. .“Ngushëllimet vijnë nga Reparti i Neonatologjisë, Klinika e Neonatologjisë, Shoqata e Neonatologëve dhe maternitet si motra, “Mbretëresha Gjeraldinë” dhe “Koqo Gliozheni” nga Republika e Shqipërisë. Kemi qenë të privelegjuar që për shumë vite kemi punuar bashkë me dr. Vlora, një personalitet me karakter të lart njerëzor dhe profesional”,- theksoi Dr. Valbon Besimi Në emër të familjes ka falënderuar i vëllau, Dr. Arbën Ukimeraj “Sot jemi mbledhur me zemra të thyera për t’i dhënë lamtumirën e fundit vajzës tonë të dashur, motrës tonë të shtrenjtë dhe një doktoreshe të shquar. Në emër të familjes falënderoj drejtoreshën e spitalit, Dr. Narqize Arënliu Hoxhaj, menaxhmentin dhe gjithë personelin e spitalit për organizimin dhe pjesëmarrjen në këtë akademi. Po ashtu falënderoj të gjithë mjekët, infermierët dhe stafin tjetër që keni bërë punë të palodhshme në përkujdesjen për shëndetin e motrës sonë deri në momentet e fundit të jetës. Që nga fëmijëria, ajo shfaqi një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj mësimeve dhe një dëshirë të madhe për të ndihmuar të tjetrët, cilësi që e udhëhoqën gjatë gjithë jetës së saj profesionale dhe personale. Me duart e saj të arta dhe zemrën e saj të madhe, ajo ishte një luftëtare e palodhur në betejën për shëndetin dhe mirëqenien e të porsalindurve dhe çdo ditë e kaloi me kurajo dhe përkushtim të pashoq. Vlora ishte jo vetëm mjeke e shquar, por gjithashtu një anëtare e dashur e familjes sonë. Ajo ishte motra që gjithmonë ishte aty për të dëgjuar, për të këshilluar dhe për të na mbështetur në momentet më të vështira. Edhe pse sëmundja ishte më e fortë se ajo, Vlora luftoi me guxim deri në fund, duke na treguar të gjithëve çfarë do të thotë të jesh jesh i fortë dhe i pathyeshëm. Kujtimet tona me të janë të pafund dhe do të mbeten gjithmonë burim frymëzimi për ne”, – pohoi dr. Arben Ukimeri. Doktoresha Vlora Ukimeraj ndërroi jetë më 21 korrik 2024 në moshën 51 vjeçare. /www.QendraPress.com/