Ndizen 64 flakadanë në Krushë të Madhe
Krusha Madhe e Rahovecit mbetet një nga vendet ku dhimbja është e madhe, pasi akoma familjarët e të zhdukurve i kërkojnë ata. Në këtë ditë atje u ndezën 64 flakadanë në Kompleksin Memorial, në Krushë të Madhe. Çdo flakadanë personifikon një person të zhdukur që nga 26 marsi i vitit 1999.
Krushjanët për 25 vjet me radhë vazhdojnë të ngrenë zërin tek institucionet qendrore dhe ndërkombëtare që të dinë për fatin e familjarëve të tyre.
Irfan Ramadani, përgjegjës i Muzeut të Luftës në Krushë të Madhe, tha se kjo ditë është një dhimbje e madhe, sepse janë vetëm gurët e varreve dhe flakadanët e 64 personave të zhdukur.
“Presim nga institucionet shtetërore që të zbardhet fati i tyre, që mos të vijnë të ndezin flakadanët por t’i kemi varret për të qarë”, tha ai.
Ramadani foli për muzeun, i cili përmban fotografitë 64 personave të zhdukur nga Krusha e Madhe, derisa në komunën e Rahovecit janë 103 persona të zhdukur.