Ne duhet të dijmë ta ruajmë shtetësinë dhe paqen! -Shkruan: Lendira Berisha.
Po bëhen 14 vite kur Kuvendi e miratoi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, njëherësh duke miratuar dhe simbolet shtetërore, flamurin shtetëror. Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, erdhën njohjet e para ndërkombëtare nga shtetet kryesore të SHBA-së dhe dhe BE-së. Kur flasim për Kosovën, ne duhet të dijmë se në mënyrë të koordinuar kemi shpallur Pavarësinë, duke filluar me implemenetimin e planit të Ahtisarit, kemi vazhduar me futjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që i dha kuptimin bërjes së shtetësisë së Kosovës. Më pas për të vërtetuar plotësisht konstatimin e pakontestueshëm, erdhi vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë duke vërtetuar se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, është një akt legjitim që nuk bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Në çfarë vështirësi hasi Kosova, pas bërjes së shtetit, PSE?! Në vazhdimësi cenohet dhe provokohet liria dhe shtetësia e Kosovës nga Serbia? Nga shpallja e Pavarësisë, Kosova ende është shteti më i ri në Europë dhe u përball me bllokada të ndryshme politike, që ngërthyen në vete një varg çështjesh të natyrës ekonomike si rrjedhojë e mos shqyrtimit të ligjeve, që kanë mbetur peng të bllokadës institucionale, duke përçuar mesazhe negative si në aspektin e zhvillimit të demokracisë, politikës, ekonomisë…Marrëveshja me Serbinë për Themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe atë me Malin e Zi për Demarkacionin, bllokadë politike që u krijua nga partitë politike, me veprime të dhunshme, si brenda dhe jashtë institucioneve, shkaktonte një situatë të rëndë në vend, derisa mazhoranca mund të sulmohej në aspekte tjera të të metave që shfaq gjatë qeverisjes, por jo për marrëveshjet që ishin arritur me mbështetjen e fuqive aleate. Votimi i Gjykatës Speciale, që u votua në Kuvend më 2015, kjo pas shumë kontraditave dhe pas një ri procedimi të këtij amandamenti nga ana e Qeverisë, herën e dytë kalon ky amandament kushtetues. Gjykatë e cila u formua qëllimisht për të dënuar UÇK-në, për të gjykuar njëanshëm, dhe jo për të denuar krimet që ka bërë Serbia në Kosovë, kjo na le të kuptojmë që vërtet është “Gjykatë Politike”.Nga kjo aludojmë, se sa shumë favore i ka bërë BE-ja Serbisë deri më tani, së paku dhe ne të kishim ndonjë favor, si liberalizimi i vizave, që janë plotësuar kushtet, dhe kjo nuk po ndodh, ende po qëndrojmë të izoluar. Ne si shtet nuk kemi ndonjë rezultat, të njohjes nga Serbia, as të uljes së tensioneve që Serbia vazhdon të provokon radhazi, duke cenuar shtetësinë e Kosovës. Vite me parë ishte nisja e trenit me serbë drejt veriut, muaj më parë, eskalimini i situatës me provokime me helikopterë, duke nxitur urrejtje dhe duke krijuar politika destabilizuese në Kosovë. Një vëmendje e vazhdueshme në veçanti e SHBA-ve dhe BE-së, do të mbante nën kontroll ruajtjen e qetësisë në vend. Sepse është vërtetuar disa herë se Serbia ka tendencë për rinisje të konfliktit në Kosovë. Brenda kufijve të saj, Kosova me vite të tëra përballet me jo profesionalizëm nga drejtuesit e institucioneve, si pasojë e korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbase dhe interesave personale, janë krijuar kushte te volitshme dhe mundësi të financimeve nga Serbia, Rusia që me vite të tëra njihen si nxitëse të luftërave dhe konflikteve, me qëllim që të ndikohet negativisht në politikë dhe të krijohet huti, destabilizim i gjendjes në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Jo rastësisht, Serbia disa herë ka shpalosur platformën, duke shtruar dhe debatuar si çështje me prioritet, “Mini Shengenin” dhe “Open Ballkan”. Çështje të cilat kanë shtruar shumë dilema, si në Ballkan ashtu dhe te ndërkombëtarët, se si të veprohet në favor të vendit tonë? Sado që një “Ballkan i Hapur”, do të tingëllonte mirë dhe në arenën ndërkombëtare, në anën tjetër mund të jetë një strategji e rrezikshme e Rusisë dhe Kinës, për zhvillim të ekonomisë dhe politikave në Ballkan, gjithmonë me synim fuqizimin e Serbisë dhe dëmtimin e Kosovës. Sa do të jetë e pëlqyeshme, depërtimi i politikave të reja nga Rusia dhe Kina në Ballkanin Perëndimor? Sa do të jetë në favor të Kosovës, është shumë në pikëpyetje?! Dhe shumë për të diskutuar. Andaj mbetet obligim moral, detyrë parësore, e politikanëve tanë, të marrin vendime jo të ngutshme, të jenë më konçiz, ti shohin gjërat më larg, të jenë njëzëri kur është në pyetje ruajtja e shtetësisë së Kosovës. Ne duhet të dijmë, ta ruajmë SHTETËSINË DHE PAQEN! Gëzuar vitin e katërmbëdhjetë të PAVARËSISË, KOSOVË!/qendrapress.com/