Në një balotazh, vota bëhet akt intelektual dhe moral…/Shkruan; Agnesa Thaçi KUREJSHI,magjistre e shkencave juridike.

Balotazhi nuk është thjesht një raund i dytë i zgjedhjeve komunale por, momenti kur demokracia fton qytetarin, të reflektojë më thellë mbi përgjegjësinë e tij politike. Ai është një proces ku shprehja e vullnetit nuk vjen më nga impulsi i parë por, nga një mendim i pjekur, dhe i filtruar përmes arsyes dhe ndërgjegjes “Vox populi, vox Dei” ky zë merr vlerë vetëm kur shprehet me vullnetin kolektiv të ndërgjegjshëm. Në një balotazh, vota bëhet akt intelektual dhe moral pra një zgjedhje që nuk synon vetëm fituesin por cilësinë e përfaqësimit dhe formën e të ardhmes që dëshirojmë të ndërtojmë. Në këtë rast politika shndërrohet nga një garë interesash në një proces reflektimi kolektiv ku qytetari pyet veten jo vetëm kush duhet të qeverisë por edhe pse. Çdo votues duke marrë pjesë në këtë proces mishëron parimin latin “Civis romanus sum” – unë jam qytetar – që nënkupton jo vetëm të drejta por më shumë detyrë ndaj “res publica”. Balotazhi redukton fragmentimin politik dhe forcon legjitimitetin e institucioneve sepse përzgjedhja përfundimtare bëhet ndërmjet dy alternative më të forta. Ky proces rrit qartësinë e përgjegjësisë politike dhe zvogëlon paqartësinë e përfaqësimit. Përmes tij qytetari konfirmon se demokracia nuk është vetëm mekanizëm numerik por një akt ndërgjegjeje si dhe një dialog mes mendimit individual dhe interesit kolektiv. Vota në këtë kontekst është shprehje e lirisë dhe e përgjegjësisë morale dhe mund të nënkuptohet si materializimi i parimit “Libertas in legibus” – liria brenda ligjit – duke treguar se liria nuk është anarki por zgjedhje e arsyeshme brenda rregullave të përbashkëta. Çdo votë është një kontribut në formësimin e identitetit të qytetit tonë dhe një gur themeli në ndërtimin e së ardhmes. Pra balotazhi mund të kuptohet si test më i qartë i pjekurisë qytetare ku qytetari nuk është spektator por autor i historisë politike të qytetit të tij./QendraPress/