NË PËRKUJTIM PËR BETEJËN E 11 MARSIT 1999 NË JESHKOVË-Nga Isa Berisha,kryetar i OVL-së  Dega në Prizren

Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të luftës,

të nderuar bashkëluftëtarë, qytetarë dhe pjesëmarrës,

Sot përkujtojme me nderim dhe respekt të thellë një nga betejat më të lavdishme dhe më të dhimbshme të luftës sonë çlirimtare – Betejën e 11 Marsit 1999 në Jeshkovë.

Kjo nuk ishte vetëm një betejë e zakonshme. Ishte një përballje e pabarabartë mes një ushtrie pushtuese të armatosur rëndë dhe bijve më të mirë të këtij vendi, të cilët kishin vendosur me vetëdije të plotë të sakrifikojnë gjithçka për lirinë e atdheut. Ata mund të mos kishin armatimin dhe fuqinë e armikut, por kishin diçka shumë më të madhe – guximin, besën dhe idealin për liri.

Ne që kemi qenë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e dimë shumë mirë se çfarë do të thotë të luftosh me pak armë e pak municion, por me një zemër të madhe dhe me besim të palëkundur se kjo tokë duhet të jetë e lirë. Luftëtarët e UÇK-së nuk luftonin vetëm për veten e tyre, por për të ardhmen e popullit të tyre dhe për brezat që do të vinin pas.

Jeshkova nuk ishte thjesht një fshat. Ajo ishte një vatër e rezistencës dhe e patriotizmit, ku u hodhën themelet e organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rajonin e Vërrinit dhe të Prizrenit. Populli i këtij rajoni iu përgjigj menjëherë kushtrimit për liri dhe u rreshtua në krah të luftës çlirimtare.

Nga kjo trevë dolën figura të ndritura të kombit shqiptar, si Remzi Ademaj – Komandant Petriti, mësuesi dhe patrioti Xhevat Berisha, si dhe shumë luftëtarë të tjerë që sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës.

Pas ofensivës së ashpër të shtatorit të vitit 1998, fshati Jeshkovë u dogj pothuajse tërësisht dhe u bë i pabanueshëm. Por lufta nuk u ndal. Me urdhër të Zonës Operative të Pashtrikut, në këtë zonë u vendos Njësia Speciale e Brigadës 125, në krye me Komandantin Hysen Rexhepi, së bashku me komandantin e njohur të UÇK-së Samidin Xhezairi – Hoxha.

Në mëngjesin e 11 marsit 1999, forcat serbe rrethuan fshatin nga të gjitha anët. Popullata u nxor me dhunë nëpër livadhe dhe u bë ndarja e burrave nga gratë dhe fëmijët. Më pas filloi ofensiva e madhe ushtarake.

Përballë kësaj force të madhe armike, luftëtarët e UÇK-së kishin dy mundësi: të tërhiqeshin ose të qëndronin. Ata zgjodhën rrugën e nderit. Zgjodhën të qëndrojnë në tokën e tyre dhe të luftojnë deri në fund.

Me besë, me trimëri dhe me vendosmëri të rrallë, ata luftuan deri në plumbin e fundit, duke rënë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë në kujtesën e popullit shqiptar.

Në këtë betejë heroike ranë dëshmorë:

Hysen Rexhepi

Hajdar Shala

Bashkim Suka

Feriz Susuri

Skender Latifi

Ymredin Qengaj

Hamit Thaçi

Tahir Gashi

Besnik Kastrati

Alajdin Xhezairi

Po ashtu, këtij njësiti iu bashkuan edhe luftëtarë nga fshatrat e rajonit të Vërrinit, të cilët ranë dëshmorë në të njëjtën ditë:

Ymer Shala

Nuridin Shala

Bajram Shala

Hilmi Shala

Liman Shala

Rexhep Buduri

Musli Gashi

Shahadin Gashi

Bali Avdaj

Dëmshedin Shala

Fehmi Shala

Këta bij të këtij vendi nuk ranë vetëm për një betejë. Ata ranë për lirinë e Kosovës, për dinjitetin e popullit shqiptar dhe për të ardhmen e brezave që sot jetojnë në një vend të lirë.

Sakrifica e tyre u bë pjesë e rrugës që çoi drejt çlirimit të Kosovës dhe drejt ditës së madhe të 12 qershorit 1999, kur vendi ynë mori frymë i lirë.

Prandaj sot, me respektin dhe mirënjohjen më të thellë, përkulemi para veprës së tyre.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të Betejës së 11 Marsit në Jeshkovë!

Lavdi të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Lavdi të gjithë dëshmorëve të Kombit!

Me nderime,

Isa Berisha/QendraPress/