Në prag të fundvitit mendoj për ëndrrat që kemi pasur kur ishim të rinj../Shkruan:-  Ervina Toptani

Në prag të fundvitit mendoj për ëndrrat që kemi pasur kur ishim të rinj, brezi im dhe atyre para nesh. Ëndrrat lindnin vetë, të pastra, të padiskutuara, plot dritë bazuar në dëshirën e zjarrtë e pafajësinë e moshës. Ne besonim me sinqeritetin e zemrave të pastra se bota është një derë e hapur që pret vetëm të trokasim. Dhe ne trokitëm…

Por me kalimin e kohës, zbuluam se dyert nuk hapen me dritë, me dëshirë e sinqeritet por me çelësa që dikush tjetër i mban në xhepin e vet. Rritja nuk është vetëm moshë, është takimi i dhimbshëm me sistemet e ngritura prej atyre që kanë frikë nga njerëzit e lirë. Ata që i kanë shitur ëndrrat e tyre dje, sot duan të blejnë ëndrrat tona pse një njeri që ëndërron është i paparashikueshëm, por një njeri i lodhur është vetëm i bindur.

Dhe ja ku vjen mosha e mesme, ajo pikë ku njeriu shikon pas dhe pyet veten:

A ishin ëndrrat naive, apo sistemi i pamëshirshëm?

Ndoshta asnjëra. Ndoshta faji i përket ideve që na “mashtruan” se mjafton dëshira për të arritur gjithçka. Por realiteti është më i hidhur, dëshira pa hapësirë, pa mbështetje, pa drejtësi, është vetëm një zjarr që digjet brenda vetes, pa e nxjerrë dritën jashtë.

Shpesh ndihesh sikur suksesi kërkon një marrëveshje të errët, ndoshta jo “marrëveshjen me djallin” në kuptimin klasik të fjalës, por me kompromisin e heshtur: heq dorë nga një pjesë e të vërtetës së vetes për t’u pranuar nga një botë që nuk e ndien të vërtetën.

Kur zgjedh të mos e bësh këtë, kur zgjedh të mbetesh i mirë, i drejtë, i pastër kupton se çmimi është i lartë. Bota rrallë e shpërblen mirësinë, shpesh e merr si dobësi.

Sekreti që sistemi nuk do që ta kuptojmë është se

edhe kur ëndrrat nuk u realizuan siç i menduam në rini, ato prapë se prapë nuk ishin të kota sepse besoj fort se njeriu nuk matet me atë që arrin por me atë që nuk pranon të humbasë: dinjitetin, ndërgjegjjen, esencën e vet.

Ëndrrat tona mund të mos marrin formën që imagjinuam, por ato bëhen dritare për të na treguar kush jemi në të vërtetë.

Liria, në fund të fundit nuk është të arrish gjithçka por të mos e shesësh veten për asgjë.

Në një botë që do skllevër të lodhur, të mbetesh njeri i mirë është forma më e lartë e rebelimit sepse ndonjëherë ëndrra më e madhe nuk është ajo që realizohet jashtë, por ajo që nuk shuhet brenda nesh.

Ervina Toptani/marrë nga Fb.

/trasmeton /QendraPress/