Në zgjedhjet e ardhshme qytetarët mund të votojnë deri në dhjetë deputetë, politologët pro dhe kundër këtij vendimi.

             Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur qytetarët kanë pasur të drejtë të votojnë vetëm pesë kandidatë për deputetë të Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, qytetarët sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, do kenë të drejtë të votojnë deri në 10 kandidatë të për deputetë.Mirëpo, ky vendim i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nuk po pëlqehet nga politologët.Ata e vlerësojnë si të gabuar një vendim të tillë, duke treguar edhe arsyet pse është një vendim jo i duhur.Sipas analistit politik, Mazllum Baraliu ,ky vendim është i gabuar, pasi lista e deputetëve do të zgjerohet shumë.

“Kanë gabuar për arsye sepse zgjerohet lista shumë dhe nuk dihet se çfarë sjell, rezultatin nuk e kanë studiuar mirë ata me e ba një analizë paraprake shkencore profesionale për të bërë një pilot projekt për të parë se çfarë do të thotë ajo”, thotë Baraliu për Arbresh.info

Sipas tij, miratimi i këtij ligji të ri, është njëri ndër vendimet e rralla që ka bërë bashkë pozitën dhe opozitën, pasi kanë interes.

“Dhjetë kandidatë nga lista e subjektit politik ka të drejtë që me ligjin e ri në fuqi të cilët e kanë miratu të gjithë se kanë interes të gjithë pozitë opozitë pa vërejtje pa diskutim që është e rrallë dhe e pazakonshme”, thekson Baraliu, duke shtuar se Kosova nuk ka përvojë se çka do të na sjell kjo risi që është paraparë në ligjin e ri.

Për dallim nga Baraliu, analistja Afërdita Maliqi është pro këtij vendimi.

Ajo thotë se zgjerimi i listës së deputetëve nga pesë në dhjetë kandidatë, është një mundësi më e mirë që qytetarët t’i zgjedhin kandidatët e vetë brenda një subjekti politik.

Sipas saj, kjo është një mundësi më e madhe për votuesin, nëse do me votu më shumë se pesë kandidatë të një partie.

“Sidoqoftë, kjo është një mundësi më e madhe për votuesin, nëse do me votu më shumë se pesë kandidatë të një subjekti politik. Votuesi me këtë vendim ka të drejtë votimi deri në dhjetë kandidatë, por e ka mundësinë të votojë vetëm një”, thekson ajo.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar të enjten se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi t’i votojnë deri në 10 kandidatë për deputet të një subjekti politik dhe jo më pesë, sa ishte në zgjedhjet e fundit.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valmir Elezi ka dhënë detaje se si plotësohet fletëvotimi.

“Mënyra e votimit është kjo: Së pari, në anën e majtë të fletëvotimit, votuesi duhet të zgjedhë vetëm një subjekt politik dhe së dyti, në anën e djathtë të fletëvotimit, votuesi mund të zgjedhë deri në 10 kanadidatë për deputetë të atij subjekti politik. Pra, voto vetëm një subjekt politik dhe deri në 10 kandidatë për deputetë.

Kuvendi i Kosovës ka gjithsej 120 deputetë të zgjedhur me votim të fshehtë. Deputeti i Kuvendit është përfaqësues i popullit dhe vepron sipas bindjes dhe ndërgjegjes së tij.

Deputeti ka të drejtë për pjesëmarrje në punimet e Kuvendit, për të iniciuar ligje apo rezoluta, për t’u parashtruar pyetje anëtarëve të Qeverisë, për të votuar për vendimet e propozuara të Kuvendit, si edhe për të marrë pjesë në diskutime, në kushte të barabarta me deputetët tjerë të Kuvendit./Arbresh.info