NGA DITARI I LUFTËS –Shkruan;Prof.Dr Aqif Mulliqi
Fundshtatori i vitit 1998 shënoi një prej përpjekjeve më të mëdha të UÇK-së për të mbrojtur të qenit e vetë dhe strukturat që kishte krijuar tashmë. Në këtë kohë, llogaritej se mbi 6 mijë forca serbe, të pajisura me mjetet më moderne, madje edhe me raketa tokë-tokë (qëllonin nga baza që e kishin në Mokne të Istogut), ishin futur në Drenicë që ta bënin shkrumb e hi dhe ta zhbënin ushtrinë tonë. Kushdo që ka qenë në Drenicë dhe e di se sa e madhe është ajo, e ka, pak a shumë të qartë se çfarë numri duhet të ketë një ushtri që ta rrethojë të tërën. Gjatë kësaj kohe dhe ndonjë dy javë më pas, unë, me mikun tim, ish-studentin e sot kolegun në Fakultetin e Arteve të UP-së, Emin Z. Eminin, atë ofensivë e kaluam brenda atij rrethimi të hekurt.
Kjo periudhë na la shumë mbresa; solli shumë tragjedi, por solli edhe shumë lavdi të historisë sonë.
Nuk do mend se një prej personaliteteve të UÇK-së në përgjithësi, ishte Fehmi Lladrovci, luftëtari dhe strategu i paepur i luftës sonë. Unë Fehmiun e kam takuar edhe shumë herë gjatë luftës, por edhe disa herë kur ishte student në Zagreb. Bile, mbaj mend se, një luftë, njëherë, tek ai shkuam në Gradicë, bashkë me komandantin Mensur Kasumi, nga Zona Operative e Shalës që ta vizitonim. Mensuri ishte një mik shumë i mirë i Fehmiut. Ata kishin luftuar bashkë, kundër serbëve edhe në frontet e Kroacisë. Rrugës duke shkuar, ndaluam tek një shitore dhe i blemë nja dy qeska me gjësende – ndonjë lëng e diçka tjetër, të zakonshme. Diku te Zhilivoda, morëm përpjetë dhe arritëm në Shtabin e Brigadës 114 të UÇK-së, e cila, më pas e mori emrin e vetë heroit i cili ishte komandanti i parë i saj. Fehmiu na priti si është më së miri, por nuk iu bë qejfi që i kishim blerë ato gjëra. Bile u ngryk pak.
Fehmiu është një prej njerëzve më të pastër dhe më të dinjitetshëm që kam takuar në jetë. Modestia e tij është një shembull i rrallë. Gjithashtu, mendoj, se është e vështirë që të takosh ndonjë njeri të vendosur se ai. Ishte një vendosmëri e frikshme. E tëra kjo storie ndodhi në fillimqershor të vitit 1998.
Por, të kthehem edhe njëherë tek ofensiva armike e fundshtatorit të këtij viti.
Duke qenë se ofensivat ishin të furishme dhe lufta e ushtarëve tanë ishte e paepur, unë, bashkë me Eminin kalonim net e ditë, gjithandej, ngase lëvizjet e përgjithshme ishin të atilla.
Por, lajmi për rënien e Fehmi Lladrovcit ishte i trishtë. Një dhimbje e madhe. Gati, gati ishte diçka e pabesueshme. U pikëlluam shumë. Nuk e besoja se mund të vritej një Titan, siç ishte Fehmiu. Fehmiu me Xhevë Lladrovcin dhe Fatime Shalën kishin rënë në Gllanasellë, në një vend të cilin fshatarët e quanin Gradinë. Kishin luftuar deri në frymën e fundit, vetëm ndonjë 300 metra larg “Feronikelit”, ku ndodhej një prej kazermave kryesore të ushtrisë dhe policisë serbe. Bile, flitet se në furrnaltat e këtij kompleksi industrial, barbarët, kishin djegur edhe një numër të kufomave të civilëve shqiptar që i kishin vrarë… Pikëllimi për rënien e komandantit nuk mund të përshkruhet.
Me këtë rast mu kujtua një thënie e gazetarit veteran, Zenun Çelaj i cili ma e tha me një rast se: Ndoshta nuk ka shembull në botë që në një luftë të vriten kaq shumë komandantë të një ushtrie. Rëndom, në fushëbeteja komandantët i lëvizin ushtarët duke thirrur: “Përpara”, ndërsa në UÇK thirrja e zakonshme ishte: “Pas meje”! Kjo ishte fantastike.
Një ditë pasi që dëgjuam për rënien e Fehmiut dhe të Xhevës, me Muhamet Lanin ishim nisur për në Ashlan të Vushtrrisë në Shtabin e Zonës Operative të Shalës. Në një udhëkryq të rrugës së Lubovecit që shpinte edhe për në Galicë e edhe për në Ashlan, Muhamet Lani e ndaloi veturën vizavi një veture që po vinte nga ana e kundërt. Dolëm nga vetura, ndërsa edhe burrat që ishin në veturën tjetër dolën, gjithashtu. E njoha komandantin Shaban Shala. Njiheshim që më herët ndërmjet veti. Në luftë ishim takuar, diku herët në maj, në Prekaz, por jo edhe më pas. Rrugët na ishin piprruar. Por për të ishin thurur legjenda të ndryshme. U morëm ngryk ndërmjet veti. Muhamet Lani iu drejtua Shaban Shalës me këto fjalë: “Shaban, ti je një burrë i madh dhe një luftëtar i pa shoq, por të lutem, kujdesu pak për veten tënde. Çdo heroizëm e ka një kufi, diku.”
Atë natë e bëmë në godinën e shtabit në Ashlan. Të nesërmen, me dy automjete, vazhduam për në Qirez, unë, Emini, bashkë me Rrahman Ramën, me Mensur Kasumin, me Ferki Aliun dhe ndonjë shokë tjetër. Së andejmi shkuam në ngushëllime për Bacën Fehë, në Gllanasellë.
Kur u futëm në odën e Lladrovcëve, një kullë e moçme të cilës në ofensivë i ishte djegur gjysma e çatisë, e që ishte mbuluar me një najlon të zi, ne zumë vend në ballë të oxhakut. Para nesh, në pritje ishin shumë burra. E njihja babën e Fehmiut, Bacën Tush, dhe pak prej të tjerëve. Baca Tush ishte një burrë i shpirtgjerë dhe shumë kurajoz. Pasi na dëshiroi mirëseardhje, ai, na u drejtua me fjalë: “Mirë se keni ardhë, burra. Zoti ju lashtë shëndosh për Fehmiun se e keni pasur shok. Nuk po zgjatem shumë, por fjalën po ua jap juve të na tregoni ndonjë gjë!” Rrahmani dhe Mensuri u kthyen nga unë dhe kërkuan prej meje që ta merrja fjalën. Fjalimi im ishte i zjarrtë dhe patetik, siç e kërkonte vendi dhe kuvendi. Por, më ngacmonte fakti se në “audiencë” ishte edhe një axhë i Fehmiut, një burrë i veshur me tirq të zi, i cili nuk mi shqiste sytë e tij inteligjent. Quhej Qerim, një mendimtar i jashtëzakonshëm tradicional me shumë autoritet.
Pastaj u çuam. Baca Tush na përcolli deri te dyert. Asaj nate u kthyem në Ashlan. Por, të nesërmen me Eminin u rikthyem në Gllanasellë. Shkuam te varrezat, në vendin ku e kishin varrosur Fehmiun, pas pak u takuam me dy luftëtarë: me Sabit Lladrovcin, i cili ishte i plagosur në betejën e Likoshanit dhe Asllan Fazliun, nja luftëtar nga Gradica, të cilin unë e njihja që nga maji, meqë ishim njohur në odën e komandantit Ilaz Kodra ku më ishte prezantuar si “Luani”. Sabit Lladrovci i cili në luftë njihej me pseudonimin “Jasha” e kisha takuar një ditë më parë në odë kur shkuam për ngushëllime për Fehmiun.
Besoj se këta dy burra ishin pikërisht ata që po i kërkonim, ngase, ishin dy luftëtarët që ishin në Gradinë, pra në atë pikën kur ranë dëshmorë Fehmi Lladrovci, Xhevë Lladrovci dhe Fatime Shala (nga Bistrica e Shalës së Bajgorës.) Rrëfimi i Sabit Lladrovcit dhe i Asllan Fazliut janë rrëfimet më të besueshme të historisë së kësaj beteje dhe të rënies së komandantit. (Për fat të mirë, besoj se këto rrëfime i kam të regjistruara në formatin audio.)
Më poshtë po e sjell, të plotë, rrëfimin e tyre.
“Ditën e 22 shtatorit nuk do ta harrojë për jetë të jetëve. Derisa të më rrah edhe damari im i fundit”, nis rrëfimin e tij Asllan Fazliu, shok e bashkëluftëtar i komandantit Fehmi Lladrovci; ushtari i cili u nda i fundit nga ai. “Kur ka filluar sulmi i shkieve unë kam qenë në pikën time. Aty jemi ballafaquar me një forcë jashtëzakonisht të madhe të ushtrisë pushtuese. Me shokët e pikës kemi bërë rezistencë të madhe. Pastaj na ka ardhur urdhri që të tërhiqeshim nga ajo pikë dhe të ripozicionoheshim në një pikë tjetër. Urdhri për mua ishte që të shkoja në pikën ku ka qenë komandanti ynë i madh, Fehmi Lladrovci, në vendin e quajtur Gradina. Sulmet e shkieve ishin të pareshtura, mirëpo ne diku katër orë ia kemi dalë që me sukses t’i zmbrapsim ato sulme të fuqishme. Në atë vend ku ra dëshmorë komandanti me bashkëshorten e tij Xhevën dhe Fatime Shalën nga Bajgora kemi luftuar nga një afërsi e konsiderueshme dhe armiku mëkot provonte të na afrohej. Ajo pikë ishte e pashpërthyeshme. Mirëpo forcat armike, diku nga ora dymbëdhjetë na ka dalë pas shpine, kështu që ne u detyruam që të ripozicionoheshim dhe një pjesë e ushtarëve të luftonte në njërën, ndërsa pjesa tjetër në anën tjetër.
Komandanti ynë gjatë tërë kohës ka luftuar me një snajper me municion 12.7 milimetërsh. Në një çast, sikur u ndie paksa i lodhur dhe më thirri mua: “Asllan, eja më ndërro tek arma se ndihem paksa i lodhur”. Atëherë unë jam afruar pranë atij pozicioni që ta marrë armën e tij dhe të veproj nga ajo pikë. Ndërsa në atë çast na është afruar edhe Xheva e cila e ka shfaqur dëshirën që ta merrte armën e komandantit për të luftuar. Mirëpo komandanti ka insistuar që me atë armë të luftoja unë. Dhe, sapo jam afruar tek pozicioni që kishte komandanti, është dëgjuar një rafal i mitralozit të autoblindës, andej nga pas, nga shkolla dhe komandanti bashkë me Xhevën janë qëlluar në të njëjtin çast. Unë kam qenë ndërmjet të dyve, por pozitën e kisha mbrapa një guri. Atëherë e kam vënë re se ata të dy janë plagosur. Komandanti më tepër, ndërsa Xheva më pak. Mirëpo unë nuk e kam kuptuar se plumbi e kishte marrë komandanti. Nuk e kam ditur ngase ai u shtri mirëpo nuk e lëshoi asnjë zë të vetëm. Ndërsa për Xhevën e kuptova se ishte plagosur, ngase kur e shikova ajo më bëri me shenj se e kishte marrë plumbi. Kur jam kthyer pas e kam vënë re komandantin e shtrirë. E kam lënë armën për një çast që ta tërhiqja komandantin dhe ta fusja në kanal, që të mos e godiste plumbi tjetër. Mirëpo, sërish, edhe plumbi i dytë e ka qëlluar. Në duart e mija. Mirëpo, ai sërish as një gjëmim më të vogël nuk e lëshoi.
Njëherë mendova se mos vdiq, por jo. Ai më tha: “Unë shkova, por ju duhet ta vazhdoni luftën e të bëheni sa më të fortë. Vdekje më të mirë nuk kam mundur t’i prisja vetes. Po vdes për Kosovë. E ju, duhet të luftoni deri në fund sepse vetëm UÇK-ja donë me mund ta çlirojë Kosovën… Rroftë Kosovë – Rroftë Shqipëria”, thirri komandanti me zë të shtuar.
Pastaj mu duk se u dobësua pak nga gjakderdhja. “Ku është Jasha”, më pyeti.
“Jasha i ka punët mirë. Është në pozicion dhe shkiet nuk kanë gjasë që të depërtojnë nëpërmes pikës së tij”, i thash. “Ai po vjen, komandant, dhe sa nuk ka arritur këtu tek Ju”.
“Jo, thuajini që të mos vjen”, më tha ai. “Por, edhe ti, bashkë me Xhevën dhe me shokët tjerë tërhiquni nga kjo pikë, amanet!”, insistonte. “Lufta duhet të vazhdoi: për Kosovën e për Shqipërinë”, tha komandant Fehmiu dhe ndërroi jetë. Sytë i mbetën të hapur, thuaja se po e shikonte qiellin e vranët të Kosovës.
Sapo ndërroi jetë komandanti Xheva na tha: “Tërhiquni ju vëllezër se unë do të rri në këtë pikë, pranë komandantit. Nuk dal gjallë nga ky vend!”
“Në asnjë mënyrë”, i thamë ne. “Nuk tërhiqemi pa ty, dot. Se ty të lëmë gjallë këtu e ne të tërhiqemi kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Bashkë jemi këtu dhe, o do të dalim të gjithë së bashku, gjallë nga ky vend, o do ta derdhim edhe pikën e fundit të gjakut”, i thamë burrëreshës.
Dhe ajo, Xheva, luftëtarja e paepur e Lirisë e cila vlente sa dhjetë burra, u mundua që me lutje të na bindte që të tërhiqeshim neve dhe ajo të mbetej. Ishte evidente se ajo e kishte sosur që të vdiste aty pranë të shoqit dhe bashkëluftëtarit që dha jetën heroikisht në mbrojtje të Drenicës, të Kosovës e të tanë Shqipërisë, këtu te Gradinat e Gllanasellës. Por, unë nuk doja që t’i përfillja ato lutje. Madje, më parë do t’ia shkrepja vetës në tëmth se sa të bëja një gjë të tillë. Dhe, kur e vuri re Xheva se sa të vendosur jemi, atëherë na tha: “Mirë, vëllezër, tërhiquni ju se edhe unë do të tërhiqem pas jush…”
Ajo në duar e mbante pushkën e gjatë të komandanti. “Mirë, a po ma e jep fjalën se do të tërhiqesh edhe ti pas nesh?”, e pyeta.
“Po”, më tha shkurtazi.
Atëherë ne u lëshuam teposhtë Gradinës, nëpër plumba dhe granata. As sot nuk e di se si dolëm të shpëtojmë. Mirëpo, ju garantoj se nuk kemi pasur aspak frikë. Fundja ne e kemi rrëmbyer pushkën dhe kemi dalë të luftojmë e të vdesim për Liri e Atdhe.
Pastaj u vendosëm në një pikë tjetër, 50-60 metra tutje dhe mëse një orë kemi pritur të dalë Xheva, por ajo nuk doli. Gjatë tërë kësaj kohe kemi dëgjuar të shtëna nga pushka e gjatë e komandantit. Dhe, dikur kanë pushuar të shtënat nga pika e Gradinës. Shkiet kanë shtirë në atë drejtim nga të gjitha anët. Xheva, e shoqja e komandantit ra heroikisht pranë tij. Dhe ky ishte një heroizëm për shembull”, përfundon luftëtari i Lirisë, Asllan Fazliu nga Gradica një shok i pandashëm i komandantit Fehmi Lladrovci
KOMANDANTI FEHMI KISHTE NDIKIM TË JASHTËZAKONSHËM TEK USHTARËT
“Unë kam qenë i plagosur në betejën e Likoshanit. Kam pasur tri plagë. Kur na kanë evakuuar shokët, ata na kanë dërguar në një fshat për të na mjekuar. Pas katër ditësh në atë fshat, nga jashtë kanë ardhur 60 luftëtarë. Në krye të tyre ishte edhe komandanti, Fehmiu”, nisë rrëfimin e tij Sabit Lladrovci, kushëri dhe shok i pandarë i dëshmorit. “Ai nuk e ka ditur se unë isha i plagosur. Por, kur e pash u gëzova shumë. E dija se çfarë trimi është Fehmiu, por edhe atë se sa ishte i përgatitur dhe çfarë njohurish kishte për luftën.
Unë, thënë të drejtën qesh habitur kur komandanti më tha asaj dite se që moti e kishte të njohur se unë isha pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se këtë ia kishte treguar Adem Jashari me të cilin Fehmiu ka mbajtur kontakte të rregullta. Pastaj, të thuash, pjesën më të madhe të kohës dhe veprimeve i kam kaluar së bashku me komandantin.
Fillimisht kemi kaluar në Abri, ku populli na ka pritur ashtu si mund të priten vetëm vëllezërit. Në Abri dhe në fshatrat përreth, bashkë me fshatarët i kemi hapur kanalet dhe i kemi ndërtuar pozicionet tona. Mirëpo, pas instalimit të policisë në “Feronikel”, komandanti vendosi që ne, shokët, e Gllanasellës dhe të fshatrave përreth të kthehemi dhe të vendosemi në pozicione vizavi “Feronikelit”.
Në Gllanasellë, kemi ardhur natën. Të nesërmen kemi dalë dhe komandanti i ka caktuar pozicionet ku do të vendoseshi. I kemi bërë kanalet dhe bunkerët. Po atë ditë në shtab kanë ardhur shumë bashkëfshatarë tanët dhe janë paraqitur vullnetarisht për t’u inkuadruar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishin shumë. Komandanti u përcaktua vetëm për atë numër për të cilin kishim nevojë në atë çast. Kështu u formua Brigada 114 e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Komandant Fehmiu ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm edhe tek ushtarët, por edhe te popullata. Kudo që ka shkuar”, rrëfen Jasha, alias Sabit Lladrovci.
“Nga betejat me komandantin më kujtohet ajo në Grykën e Llapushnikut. Kemi shkuar atje diku nga ora një e mesditës. Në Llapushnik me komandantin ishte edhe Xheva. Atje jemi futur nëpër pozicionet e shokëve tanë. Diku nga ora gjashtë e mbrëmjes forcat e armikut ia dolën që të na afrohen bukur afër. Dhe, aty është zhvilluar një luftë e ashpër frontale. Heroizmin që e ka treguar asaj dite Fehmi Lladrovci, këtë vërtetë nuk mund ta përshkruaj. Diku para mesnatës e kemi thyer sulmin e shkieve. Pastaj, ka ardhur urdhri që ne të ktheheshim në pozicionet tona, ngase kishim informata që forcat e pushtuesit do të provonin që t’i sulmonin edhe pozicionet tona.
Poashtu, bashkë me komandantin, kam luftuar edhe në Hade ku kemi bërë rezistencë mëse njëzet orëshe. Edhe pse forcat e armikut ishin jashtëzakonisht të mëdha, megjithatë ato nuk ia dolën që ta shpërthejnë vijën mbrojtëse për ditë të tëra, derisa nuk erdhi urdhri për ripozicionimin tonë. Thjesht, lufta që bënte komandanti Fehmi Lladrovci, strategjia që aplikonte ai në përleshje me armikun shumë më të pajisur shkaktonin tmerr te shkiet”, evokon luftëtari i lirisë Sabit Lladrovci.
“RROFTË KOSOVA-RROFTË SHQIPËRIA”
“Si zakonisht unë edhe në ditën e 22 shtatorit isha në pozicionin tim, pasi që pritej sulm i ashpër i forcave armike. Radiolidhjen e kam mbajtur të kyçur. Përmes voki-tokit e kam dëgjuar vëzhguesin nga pika e vëzhgimit i cili ka lajmëruar se trupa të mëdha armike kanë dalë nga fabrika e “Feronikelit”. Ishte mëngjes. Diku ora do të ketë qenë pesë. Atëherë kam vrapuar shpejtë tek komandanti dhe i kam treguar çfarë po ndodhte në terren. “Zoti komandant”, i thash, “forca të mëdha kanë dalë nga “Feronikeli”.
“Nisu ti”, më tha ai “se unë do të vij menjëherë”.
Komandanti ka arritur në vendin e caktuar pas pesë minutash. Atëherë e ka bërë sistemimin e ushtarëve nëpër pikat e caktuara. Dhe, kur u ndamë, na tha: “vëllezër, sot është dita O VDEKJE O LIRI!!!” Këtë thënie të shenjtë e ka përsëritur komandanti asaj dite në kontakt me të gjithë shokët tanë me të cilët ka pasur kontakt.
“O LIRI, O VDEKJE! A ka ditë më të mirë e më të shenjtë se sa sot të vdesim për Liri!?”, u thoshte komandanti ushtarëve të tij. “Rroftë Kosova-Rroftë Shqipëria”.
Pastaj ai ka shkuar deri tek pika e instaluar në Gradinë. Aty ishte një vendshikim i gjatë. Pozicioni ku kam qenë unë nuk kishte mundësi më të mëdha vrojtimi. Ndonjë 300 metra diametër. Komandanti më ka njoftuar përmes radios: “Jashë, po vijnë forca të mëdha. Të kesh kujdes me tërë shokët”.
Ia kam kthyer fjalën: “Pika ime do të jetë e çeliktë për armikun dhe këndej mos druaj se mund të depërtojnë shkiet”.
“Mos harro Jashë”, më tha, “O VDEKJE O LIRI!”
“O VDEKJE O LIRI”, ia ktheva edhe unë. “O VDEKJE O LIRI”, njëzëri thirrën edhe të gjithë ushtarët e pikës sonë.
Pastaj na janë afruar forca të mëdha armike. Shtatë orë jemi përballur me ato forca. Nuk kam vërejtje në asnjërin prej ushtarëve. Trim mbi trima secili prej tyre.
Aty e kemi shkatërruar tankun e parë, pastaj tankun e dytë dhe tankun e tretë. Tanku i katërt është tërhequr. Tanket i kishim në largësi 40 metra. Unë të katërtin kam dashur ta lë që të afrohet, mirëpo shokët insistuan që ta gjuaja, dhe kur e gjuajta nuk e qëllova. Tanku serb u tërhoq. Poashtu mëse nëntë herë i kemi zmbrapsur edhe trupat e këmbësorisë. Dhe, për një çast ishte e qartë se armiku nuk mundë të ta shpërthente pikën e komandantit as pikën time. Dhe, ju garantoj se kurrë nuk do t’ia dilte, sikur të mos të na dilte andej nga shpina e kishte shpërthyer pikën e mbrojtjes. Kur erdhën andej nga shkolla, na dolën pas shpine. Ne duke u përballur me forca të mëdha të armikut, këtë pjesë mbrapa nesh nuk e kemi vërejtur, dhe, gati që ishte e pamundshme që t’i mbanim ato pozicione.
Gjatë gjithë orëve të luftimeve kam pasur kontakt me komandanti. Deri në çastin kur ai më ka lajmëruar se po më vijnë forca të mëdha pas shpine. Atëherë na janë bllokuar lidhjet.
Dhe fjalët e tij të fundit që i kam dëgjuar ishin: “Jashë, po të vijnë shkiet pas shpine. Priti, burrë. O VDEKJE O LIRI! O sot o kurrë!!!
Fundja, kjo ishte motoja e tij e jetës. Ai jetonte për Lirinë e Kosovës. Madje, atëherë kur erdhi në Kosovë nga jashtë më pat thënë: “Ia di për nderë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila ma mundësoi që të kthehem në Kosovë dhe të luftojë për Lirinë e Atdheut”.
Baca Fehë, siç i thosha unë atij, pasi që ka qenë disa vjet më i vjetër se unë, jetonte për Lirinë e Kosovës dhe për bashkimin e sajë me Shqipërinë, ideal ky i çdo shqiptari që e ndien vetën shqiptar. Ai vdiq ashtu si deshi, në altarin e Lirisë. Burrërisht dhe heroikisht.
Ai, kur bisedonte me ushtarët ua thoshte qartazi: “Burra, lufta për Liri është luftë e shenjtë. Pa Liri nuk ka as jetë. Pa Atdhe s’ka jetë”.
Tashti e kuptoj se ai e dinte se si do ta përfundonte jetën e tij, duke rënë në altarin e Lirisë, ashtu siç vdesin burrat. Thjeshtë, ai ishte këmbëngulës dhe i vetëdijshëm se vdekja e tij do t’i vije duke luftuar në mbrojtje të Atdheut.
E sot, pas vdekjes së bacës Fehë, edhe pse është e qartë se kemi pësuar një humbje shumë të madhe më rënien heroike të komandantit tonë, sërish ushtarët janë të vendosur që ta shpijnë deri në fund amanetin e komandantit Fehmi Lladrovci: “O VDEKJE O LIRI”. Dhe, pushka nuk do të ndalet deri në agun e Lirisë: për Kosovën e për Shqipërinë”, përfundon Jasha, Sabit Lladrovci, kushëriri dhe bashkëluftëtari i komandantit tashmë legjendarë, Fehmi Lladrovci.
Pastaj, më 23 mars të vitit 1999, në një betejë për jetë a vdekje, ra dëshmor Asllani, Asllan Fazliu, “Luani i UÇK-së, apo siç e ne themi për shokët tanë: RA PËR TË MOS VDEKUR KURRË.
Sabiti jeton me modestinë e tij, ndërsa hera e fundit kur jemi dëgjuar bashkë, ishte pikërisht dita kur u shkrua kjo faqe e Ditarit të luftës./Marrë nga Fb.i autorit/