Nga ditari i një ish të infektuari nga Covid-19/ Atyre duarve- Nga ;Sahit Osmani
ATYRE DUARVE…
Rrija i palëvizur në shtratin pranë dritares së dhomës së spitalit. Vetëm mendimet më çonin larg atje ku nuk mund të arrija. Më frikësonte prekja e duarve të maskuara, më dukeshin se më hynin thellë jo vetëm në trup, por dhe në shpirt. Atyre duarve që në të vërtetë duhej t’ua shprehja mirënjohjen time, të cilat më zgjonin nga trishtimet dhe lëviznin gëzimin e të mbijetuarit nga sëmundja e pazakontë që kishte kaluar kufijtë e kontinenteve dhe po ua shkurtonte jetën njerëzve.
Aty përballë më dukej se po qëndroje ti, dhe m’i flisje shpirtit tim, edhe pse në heshtje, ishte zëri yt i njohur për mua, kushedi prej nga fluturonte me krahët e zemrës për të më bërë mua që të lumturohesha…Por, ai zë i ëmbël shuhej në çast pranë atyre duarve të maskuara që preknin e shëronin jo vetëm trupin tim…