Nga prof. Kadri Kryeziu, lidhur me krizën e mos konstituimit te Kuvendit dhe afatit nga Kushtetuesja.

                   TIK TAK, edhe pak skadon afati 30 ditor! Pyetjet e shtruara nga Presidentja Osmani, në shkresën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese, janë pyetje me vlerë, por janë edhe të panevojshme. Gjykata Kushtetuese nuk mund të vishet me petkun e edukatorit, sepse disa gjëra janë të vetë kuptueshme. Sipas normës kushtetuese, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese si autoritet final në interpretimin e kushtetutës, esenciale janë pikat si më poshtë: 1. Kuvendi duhet të konstitutohet brenda 30 ditësh. Në rastin konkret, më së voni deri më 26 korrik 2025. 2. Pas datës 26 korrik, në terma praktik, legjislatura e 9-të është ligjërisht jofunksionale, pra zhveshët nga aftësia juridike për të vepruar. 3. Pas datës 26 korrik 2025, nuk mund të vazhdohet me vazhdimet e seancës, çdo 48 orë. 4. Pas datës 26 korrik, çdo ftesë për vazhdim të seancës konstituive është veprim kundër kushtetues. Në shënimet e mëhershme kam theksuar që deputetët mund të humbin mandatin dhe mund të zëvendësohen me të tjerë nga listat zgjedhore. Por, pas një analize më të thellë të aktgjykimit (shih pikat 140 dhe 145), konsideroj që ky pohim është gjysmak. Pas datës 26 korrik, deputetët vërtet e humbin të drejtën e ushtrimit të mandatit, por ata nuk mund të zëvendësohen. Zëvendësimi nënkupton që, pas skadimit të afatit 30 ditor, legjislatura e 9-të vazhdon të jetë ligjërisht funksionale. Duke qenë që, pas 26 korrikut, legjislatura e 9-të, si tërësi, e humb aftësinë juridike për të vepruar, nuk mund të bëhet zëvendësimi i deputetëve me kandidatë të tjerë nga listat zgjedhore. Në këto kushte, nuk ekziston asnjë kolizion në mes të kompetencave dhe përgjegjësive të institucioneve të Republikës. Në mbrojtje të rendit kushtetues, përkatësisht parimit të ndarjes së pushteteve dhe funksionimit demokratik të institucioneve, duke konstatuar që legjislatura e 9-të e ka humbur aftësinë juridike për të vepruar, Gjykata Kushtetuese nuk ka rrugë tjetër pos që t’ia lejojë Presidentit të Republikës të drejtën për të shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme. Në fund dua të theksoj edhe këto pika të tjera, që i konsideroj po ashtu të rëndësishme: – Gjykata Kushtetuese, si dhe Presidenti i Republikës, nuk mund të zgjidhin mosmarrëveshjet politike. – Përgjegjësia për dështim të konstituimit është kolektive, pra e të gjithë 120 deputetëve (shih paragrafin e fundit të pikës 130). – Në pamundësi për të ndërtuar konsensus në konstituimin e Kuvendit, një veprim që diktohet nga fryma e kushtetutës, vendimmarrja duhet t’i kthehet sovranit, pra popullit