Nga shtatori Kosova dhe Shqipëria me tekstin e dytë të përbashkët mësimor për diasporën
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se bashkë me homologen e saj në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, kanë nënshkruar urdhërvendimin për miratimin e tekstit mësimor për diasporën “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli ll.
Nagavci përmes një postimi në Facebook tha se ky do tekst do të jetë nga shtatori në duar të nxënësve në mërgatë,.
“Bashkë me ministren e Arsimit të Shqipërisë, znj. Ogerta Manastirliu, nënshkruam sot Urdhër/vendimin e përbashkët për miratimin e tekstit mësimor për diasporën “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli ll. Ky tekst do të jetë nga shtatori në duar të nxënësve tanë në mërgatë”, thuhet në njoftimin e saj.
Nagavci është shprehur se ky dokument është me rëndësi jetike për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe në të gjitha vendet e botës.
“Ky dokument është me rëndësi jetike për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe në të gjitha vendet e botës ku jetojnë dhe veprojnë bashkëkombasit tanë. Deri tani kemi finalizuar tekstin mësimor për Nivelin I, tashmë Niveli II është gati, dhe gjatë muajit shkurt do të shpallet konkursi për tekstin e Nivelit III”.
“Vazhdojmë bashkëpunimet edhe për nisma të tjera të përbashkëta mes Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e arsimit. Si Ministri e Arsimit në Kosovë mbesim të përkushtuar në avancimin e vlerave akademike e shoqërore, dhe këtë po e bëjmë përmes bashkëpunimit me bazë të gjerë”, shkroi tutje ministrja.