Ngjarja që tronditi mbrëmë Kosovën, si erdhi deri te aksidenti që u mori jetën e katër personave
Në lidhje me aksidentin e trafikut që ndodhi mbrëmë, e ku kanë humbur jetën katër persona dhe dy të tjerë janë lënduar, prokurori i rastit, Besnik Nuredini, ka deklaruar se në këtë rast janë përfshirë dy automjete.Ndërkohë, ai tha se vetura e tretë, për të evituar përplasjen ka rënë në hendek.“Në një automjet dyshohet se kanë qenë katër persona, në automjetin tjetër të aksidentuar janë dy të plagosurit që janë në gjendje të rëndë”, tha ai.“Derisa vetura e tretë duke tentuar për të shmangur përplasjen, ka lëshuar rrugën dhe ka rënë në hendek”, deklaroi prokurori i rastit Nuredini.Tre nga katër personat e vdekur në këtë aksident janë Arlind Isufaj, 21-vjeçar, Mergim Behluli, 23-vjeçar dhe Armend Muhadini, 39-vjeçar, teksa personi tjetër akoma nuk është identifikuar.Vdekjen e tyre e ka konfirmuar ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes, ndërsa si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të lënduar edhe një çift, që pësuan lëndime të rënda trupore.Njëri nga viktimat në aksidentin e mbrëmshëm në rrugën Ferizaj-Shtime, ishte punonjës i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Ferizajt.Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, i cili përmes një postimi në Facebook ju ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave. “Pa fjalë, të tronditur nga aksidenti i sontëm në magjistralen Ferizaj-Shtime, ku humbën jetën 4 bashkëqytetarë, dy prej tyre nga fshati Dremjak i Ferizajt e dy nga Komuna e Shtimes, në mesin e tyre edhe një punonjës i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Ferizajt”.Aliu ju ka uruar shërim të shpejtë edhe të lënduarve të tjerë nga ky aksident.Aksidenti i rëndë në magjistralen Ferizaj-Shtime, përpos se ua mori jetën katër të rinjve, ka lënë edhe dy të tjerë të lënduar.Në aksident kanë qenë të përfshirë edhe një grua shtatzënë me burrin e saj.
Këta të fundit kanë përfunduar për trajtim në QKUK pas plagëve të rënda që morën.
Nga QKUK kanë thënë se gruaja e lënduar është në gjendje të rëndë shëndetësore.“Një grua e datëlindjes 1996, është në gjendje të rëndë, ekipet mjekësore emergjente po bëjnë maksimumin, kurse personi tjetër që po merr trajtim ka lëndime më të lehta”- kanë thënë nga QKUK për Kallxo.