Një 34-vjeçar i vdekur dhe një 30-vjeçare e plagosur me armë të ftohtë në rrugën “B” në Prishtinë

Një i vdekur dhe një 30-vjeçare e plagosur me armë të ftohtë në rrugën “B” në Prishtinë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Rrugën B të Prishtinës, ku një burrë 34-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa një grua 30-vjeçare ka mbetur e plagosur si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur për Telegrafin se ngjarja u raportua rreth orës 15:00 në një ndërtesë të kësaj zone.
“Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes duke filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit. Në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe mjekët emergjentë të cilët kanë konstatuar vdekjen e njërit prej personave të lënduar, mashkull, 34 vjeç, ndërsa e lënduara, femër 30-vjeçare, është dërguar për trajtim mjekësor,” deklaroi Ahmeti.
Sipas të dhënave fillestare, dy personat kanë pësuar plagë nga një mjet i mprehtë. Rrethanat dhe motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërkohë që hetuesit policorë po zhvillojnë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
Policia nuk ka bërë të ditur identitetin e viktimës dhe të të plagosurës, ndërsa nuk është konfirmuar ende nëse ka të dyshuar apo persona të ndaluar në lidhje me këtë ngjarje./Telegrafi/