NJERIU DHE PARAJA –Shkruan: Ganimete Jakupi Demiri, Zvicër
Njeriu lind i pastër nga ana shpirtërore, por më vonë shumë faktorë ndikojnë në formimin e personalitetit të tij! Në këtë aspekt duke pasur parasysh se shumë njerëz nuk brengosen aq shumë për personalitetin e vetë mendojnë vetëm se si të pasurohen, nuk ua dinë rëndësinë gjërave primare në jetë si: Shëndetit, familjes dhe gjërave me vlerë që i kanë që nuk blihen me para…Shpeshherë këta njerëz (individë) ndikojnë edhe në formimin e personalitetit të fëmijëve, qysh në fëmijëri ata fëmijëve nuk i përkushtohen në mënyrë të duhur, shpeshherë gjejnë arsye me pretekstin se janë të zënë, unë jam burrë nuk di të kujdesem për fëmijët, shumëherë marrin shembull fëmijët e tjerë duke thëne se “Djali i filanit, fistekit di ta bëjë këtë punë, atë punë vetë – e ti akoma jo”, duke ndjellur mllef në njëfarë mënyre edhe mes fëmijëve…Këta njerëz shpeshherë aq shumë pasurohen jo me ndjersë të ballit, jo me punë të mbara, por me punë nga më të pistat, aq shumë bëhen të pasur sa që nuk ju intereson: as gruaja, as fëmija, as familja, synimi i tyre është vetëm paraja, frekuentimi i ndejave të natës, se si të kenë sa më shumë të dashura, makina të shtrenjta, shëtitje në vendet më të mira, pirja e lëndëve narkotike, etj…dhe kështu shumë shpesh këta njerëz paraja i shkatërron apo siç thotë populli “Paraja e çmendi”, dhe si pasojë e parave jo të menaxhuara se si duhet e humbasin familjen, miqtë e mirë, kryejnë vepra të ndryshme penale, nuk janë të rralla rastet kur përfundojnë pas grilave, vriten nga miqtë më të mirë nga mosmarrëveshjet që kanë në biznesët e tyre, etj…
Paraja bie në dorë të të gjithëve, personi (individi) duhet të dijë se si ta menaxhojë, çfarë do të bëjë me të, të ketë parasysh të mirat dhe të këqijat (rreziqet) që mund të vijnë, me para asnjëherë nuk mund të blesh dashuri, lumturi, familje, thjeshte paraja asnjëherë nuk mund të arrijë në atë nivel të të menaxhojë ty, ti duhet të dish se si do ta menaxhosh paranë, përndryshe do të jesh shumë shpejt i humbur…