Nuk respektohen masat e reja anti-Covid, qytetarë të shumtë në Liqenin e Batllavës
Qytetarë të shumtë janë parë sot në Liqenin e Batllavës, përkundër që ditë më parë kanë hyrë masat shtrënguese për parandalimin e përhapjes së koronavirus.Në bazë të pamjeve, të cilat i ka siguruar Llapi.info, shihen qytetarë të shumtë në këtë anë, teksa aty shihet se s’janë respektuar masat themelore kundër virusit korona, atë të distancës dhe bartjes së maskës .Ndërkohë, ditë më parë në Kosovë kanë hyrë masat e reja për të frenuar përhapjen e koronavirusit, e që të njëjtat do të jenë në fuqi deri më 8 prill. Kufizimi i lëvizjes është vendosur nga ora 22:00 deri në orën 5 të mëngjesit, derisa institucionet publike dhe private të arsimit parauniveristar dhe universitar do të kalojnë në mësim online. Gastronomia do të pezullojë aktivitetin në këtë periudhë kohore bashkë me qendrat tregtare në të cilat do të funksionojnë vetëm marketet ushqimore dhe barnatoret. Për të respektuar këto masa kanë apeluar krerë të institucioneve dhe Policia e Kosovës.“Planifikimet operacionale kanë për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetent për luftimin dhe parandalimin e rreziqeve nga virusi në fjalë si dhe përballjen me situatat e këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë. Me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës është duke realizuar detyra konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa”, thuhet në njoftimin e Policisë ditë më parë.Duhet theksuar se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 529 raste të reja me COVID-19, pas testimit të 4.413 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë.Gjatë 24 orëve paraprake, 503 pacientë janë shëruar nga COVID-19, që e çon në 82.064 numrin e përgjithshëm të të shëruarve, ndërkohë që raste aktive vazhdojë të jenë 13.944.