Operacionet e fundit të përbashkëta, Proda: Bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është kthyer në model suksesi në rajon

Drejtori i Policisë së Shqipërisë, Ilir Proda në një deklaratë për media ka thënë se operacioni i fundit i finalizuar nga Policia e Kukësit, si dhe operacionet e njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, për goditjen e grupeve që trafikojnë armë zjarri nga Kosova në Shqipëri, janë një dëshmi e qartë se Policia e Shtetit është e pranishme, vigjilente dhe e vendosur për të garantuar sigurinë në çdo cep të vendit si dhe bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është kthyer në model suksesi në rajon.

Proda ka shprehur vlerësimin maksimal për strukturat e Policisë së Kukësit, për efektivët e patrullës, të Shqiponjave dhe specialistët e hetimit, të cilët, me profesionalizëm dhe angazhim të lartë, goditën një rast të trafikimit të armëve të zjarrit në sasi të mëdha, duke sekuestruar 8 armë zjarri të llojit pistoletë dhe vunë në pranga dy shtetas nga Kosova.

“Armët janë burimi kryesor i ngjarjeve kriminale, i krimeve ndaj jetës dhe pronës, si dhe një rrezik i vazhdueshëm për rendin publik. Çdo armë e ndaluar, në kufi apo në territorin tonë, është një jetë e shpëtuar. Rastet e shumta të armëmbajtjes pa leje, të goditura së fundmi në të gjithë vendin, flasin për një angazhim të palëkundur të Policisë së Shtetit. Çdo rrjet i çmontuar është një krim i parandaluar.

Policia e Shtetit është e përfshirë maksimalisht në veprime parandaluese, hetimore dhe operacionale, brenda dhe jashtë vendit, në bashkëpunim me partnerët tanë, për të luftuar krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti”, tha ai.

Proda shtoi tutje se do të forcojnë edhe më shumë sigurinë, duke përmirësuar më tej imazhin e Shqipërisë, e cila është dhe mbetet një vend i sigurt dhe mikpritës, për të gjithë vizitorët dhe turistët nga mbarë bota që zgjedhin të vijnë dhe të njohin bukuritë tona.

“Mesazhi im është i qartë: Siguria nuk negociohet! Policia dhe qytetarët, një forcë e pandalshme”, tha ai. /Telegrafi/