Opozita me një sërë kritikash në njëvjetorin e Qeverisë Kurti: “Dështim, e paaftë, kryeministër spektator”
Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë gjithë ditës së sotme kanë lëshuar deklarata të ndryshme për ta kritikuar qeverisjen Kurti.“Kryeministër spektator”, “Dështim”, “E paaftë”, “Arrogante”, ishin veç disa prej kritikave që ia dhanë sot Kurtit.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha sot se ajo çfarë e karakterizon paaftësinë e kësaj qeverie, nuk është thjeshtë performanca e dobët në realizimin e objektivave të saj, por është kostoja që ajo ka prodhuar për qytetarët e Kosovës.“Si rezultat i kësaj paaftësie, Republika e Kosovës për një vit qeverisje të Kryeministrit Kurti, nuk figuron as në hartën e investimeve strategjike, as në hartën e rëndësisë politike rajonale, e as në hartën e partneritetit të qëndrueshëm me partnerët dhe aleatët strategjik të Kosovës”, ka shtuar ai. Sipas tij, programi i qeverisë Kurti përgjithësisht ka qenë një lojë fjalësh.“Aty ku nuk ka qenë lojë fjalësh, ka qenë kopje planesh. Aty ku nuk ka qenë kopje planesh, ka qenë nocione librash. Por program të qëndrueshëm që vendosë hapa konkret për zhvillim ekonomik, për rend dhe ligj, për punësim, për integrim e mirëqenie, nuk ka pasur”, u shpreh Krasniqi. Kryetari i LDK-së,
Lumir Abdixhiku tha se në planin e brendshëm Qeveria Kurti është arrogante, ndërkaq në atë të jashtëm, në dialogun Kosovë-Serbi ishte e papërgatitur dhe pa platformë dialoguese.“Nga kriza e pandemisë, tek ajo e energjetikës e deri tek rritja alarmante e çmimeve – Qeveria Kurti ka vendosur t’i braktisë qytetarët tanë, dhe në betejën e tyre me përballueshmërinë, të sillet si vështruese e krizave. Ajo ka dështuar të reagojë me kohë; siç ka refuzuar të ndërmarrë masa adekuate që do të zbusnin secilën krizë”, u shpreh Abdixhiku.Abdixhiku më tej shtoi se kjo qeveri, në paaftësinë e saj vepruese për qytetarë, megjithatë ka qenë e aftë të kapë borde, kompani publike e institucione të pavarura me të afërm e familjarë. “Në politikën e brendshme, Qeveria Kurti ka qenë sa arrogante aq edhe konfliktuoze. Në secilën përfshirje të saj, në drejtësi, sindikata, trupa të pavarur e me vet spektrin politik në vend, kjo qeveri ka dështuar të sigurojë konsensusin minimal për një demokraci të shëndoshë e prosperuese. Tendencat e saja kontrolluese prej pushtetit absolutist, janë përcjellë me sulme edhe ndaj medieve e ndaj fjalës së lirë”, u shpreh i pari i LDK-së.Ai përmendi edhe 12 dështimet që i cilësoi si më të mëdhatë e kësaj qeverie e që ishin: refuzimi i gazifikimit të Kosovës, kriza energjetike, kriza e çmimeve, politika e jashtme e izoluar, kthimi në dialog teknik, joefikasiteti i Kuvendit, kapja e bordeve dhe aktakuzat e pushtetarëve, mos-funksionalizimi i institucioneve të pavarura, vetingu politik, pandemia, stagnimi ekonomik dhe sulmi ndaj medieve dhe jo-transparenca.Ish-kryeministri i Kosovës e njëkohësisht kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka listuar disa nga, siç iu referua ai, dështimeve të Qeverisë Kurti në njëvjetorin e Qeverisë.Haradinaj ka shfrytëzuar llogarinë e tij, në rrjetin social, Facebook, për të bërë një listë, për të cilat ka thënë se këto janë “disa nga dështimet e Qeverisë Kurti për 1 vit qeverisje”.Haradinaj ka përmendur miratimin e ligjit të pagave, fushën e energjisë, bordet e insitutcionet e pavarura, menaxhimi i pandemisë dhe disa pika të tjerat, të cilat Haradinaj i cilësoi si dështim.Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se që kur është bërë një vit i plotë i Qeverisë Kurti nuk ka asnjë ndryshim.Tahiri ka shkruar në rrjetin social, Facebook, ku në fillim të tij thotë “Kryeministër spektator!”, duke shtuar se performanca e Qeverisë Kurti është “paaftësia”. “Sot është bërë një vit i plotë prej se është mandatuar Qeveria Kurti II. Nuk ka asnjë dyshim se jo vetëm nga perspektiva e opozitës por edhe nga vlerësimi i qytetarëve, performanca e qeverisë Kurti në vitin e parë, si në rrafshin e brendshëm edhe në atë të jashtëm e ka një emërues të përbashkët dhe ky emërues është paaftësia. E veçanta e kësaj paaftësie nuk është thjeshtë vlerësimi i qeverisë si e tillë, por edhe kostoja që kjo paaftësi ka prodhuar për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Tahiri në Facebook. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në njëvjetorin e votimit të Qeverisë, tha se gjendja me pandeminë është vënë nën kontroll dhe situata është përmirësuar dukshëm, ndërsa është shënuar rritje ekonomike dhe rezultate të mira në luftën kundër krimit e korrupsionit. Qeveria aktuale e Kosovës është formuar më 22 mars të vitit të kaluar, duke pasuar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, në të cilat Vetëvendosja e Kurtit ka dalë e para.Gjatë fushatës zgjedhore, kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, ka premtuar se në Qeverinë e tij do të synohet “një ekonomi që del nga pandemia dhe e shëruar edhe nga sëmundjet tjera” dhe se në ekonomi “do të ketë më shumë nevojë dhe hapësirë për gratë, për rininë, për mërgatën, për komunitetet, për fshatin, e sidomos për ata që kanë nevojë për më shumë mbështetje prej shoqërisë dhe shtetit”.Lëvizja Vetëvendosje, lider i së cilës është kryeministri aktual, Albin Kurti, ka fituar 50.28 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Kjo parti ka 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës. /Reporteri.net/