Osmani akuzohet për shkelje të Kushtetutës – Këshilltari i Pacollit: Po injoron flamurin e UÇK-së
Sipas, Jetlir Zyberaj, këshilltarit të Behgjet Pacollit, ushtruesja e detyrës së Presidentit dhe Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani është një politikane që nuk ka përmbajtje.
Zyberja përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, thotë se Osmani, ngritjen e saj në politikë e ka arritur vetëm duke sharë, përcjell Gazeta Insajderi.
“Një politikane që nuk ka asnjë përmbajtje, asnjë trashëgimi politike, vetëm urrejtje dhe inat, është në gjendje të ecë mbi trupat e vdekur vetëm për të përmbushur egon e saj personale. Dikush që u ngrit vetëm duke sharë, nuk është kurrë në gjendje të ndërtojë një personalitet politik që është modern dhe konsensual. Ajo nuk mundet, urrejtja e saj nuk e lë ta bëjë”, ka shkruar Zyberaj.
Ai thotë se Osmani ka hyrë në zyrën e Presidencës si partizane.
“Ajo hyri në zyrën e Presidentit të Kosovës si partizanët kur mbaroi lufta e dytë botërore. Duke shkatërruar gjithçka që ka lidhje me ata 5 president që ishin aty para saj”, ka shkruar Zyberaj ndër tjera.
Përvec kësaj, këshilltari i Pacollit akuzon Vjosa Osmanin edhe për shkelje të kushtetutës për shkak se po injoron flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Ajo po shkel kushtetutën që bën thirrje për unitet duke injoruar flamurin e UÇK-së në zyrën e Presidentit dhe duke mbajtur vetëm Vulën e Presidentit Rugova. Por me flamurin e UÇK-së ajo nuk ndihet rehat. Pse ajo duhet ta thotë vetë, por me urrejtje, inat, teater të ulët, ajo nuk mund të përfaqësojë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Zyberaj.