Osmani e Kurti kujtojnë viktimat e Holokaustit: Shqiptarët hapën dyert për hebrenjtë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Holokausti dhe krimet e kësaj lufte, i dhanë forcë dhe njohje ndërkombëtare konceptit “gjenocid”, të konceptualizuar më 1944 nga juristi polak Raphael Lemkin, për të emërtuar aktet e vrasjeve dhe shkatërrimet e qëllimshme, të pjesshme apo të tërësishme, të një komuniteti të caktuar etnik, kombëtar, fetar apo racor.Ai ka thënë se në vitet aq të errëta të Luftës së Dytë Botërore, kur hebrenjtë përndiqeshin gjithandej dhe vriteshin si dhe kur pak dyer ishin të hapura për ta, disa qindra hebrenj të ikur nga vende të ndryshme të Europës, u morën nën mbrojtje nga shqiptarët dhe u strehuan duke u shpëtuar. Ndërkaq, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se kjo ditë shërben si një kujtesë e mizorive të kryera gjatë një prej periudhave më të errëta të historisë dhe shërben si një thirrje për veprim për të gjithë ne për të kujtuar dhe nderuar viktimat e Holokaustit.“Nuk duhet të harrojmë asnjëherë mizoritë e së kaluarës dhe duhet të vazhdojmë të qëndrojmë kundër antisemitizmit, urrejtjes dhe racizmit, sot dhe çdo ditë”, ka thënë Osmani.