Osmani: E trishtuar nga lajmi tragjik ku një autobus u përfshi nga flakët në Bullgari
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është e trishtuar nga lajmi tragjik ku një autobus u përfshi nga flakët në Bullgari ku si pasojë vdiqën 46 persona, përcjell Insajderi.com.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani u shpreh se Kosova pak më parë e përjetoi një tragjedi të tillë dhe i di mirë përmasat e dhembjeve të tilla por edhe nevojën për për të reaguar shpejt.
“E trishtuar nga lajmi tragjik për përfshirjen nga flakët të një autobusi udhëtarësh nga Maqedonia e Veriut, në afërsi të Sofjes, në të cilin humbën jetën së paku 46 persona. Në këtë moment pikëllimi të thellë, ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave dhe lutemi për të mbijetuarit.
U shprehim ngushëllime popullit dhe autoriteteve të fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut, prej nga vinin shumica e udhëtarëve, si dhe atyre të Bullgarisë, në tokën e të cilëve ndodhi tragjedia. Republika e Kosovës vetëm pak kohë më parë e përjetoi një tragjedi të tillë dhe i di mirë përmasat e dhimbjeve të tilla, por edhe nevojën për të reaguar shpejt, prandaj do t’u qëndrojmë afër miqve tanë në këto momente të vështira për ta”, ka shkruar Osmani.