Osmani: Ia kemi kthyer Qeverisë 1.5 milionë euro, ligji s’lejon të shpenzojmë për qejf
Kryetarja e Kuvendit dhe u.d. e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani duke folur për shpenzimet e Kuvendit ka thënë se në krahasim me çdo mandat paraprak kjo legjislaturë nuk ka shpenzuar fare për udhëtime dhe mëditje. Ajo ka thënë se ia kanë kthyer Qeverisë 1.5 milionë euro, duke shtuar se ligji nuk ua lejon të shpenzojnë sipas qejfit.Sipas saj, ligji obligon që nëse tepron buxhet ai i kthehet Qeverisë së Kosovës.
Sipas saj, nëse ka pretendime për keqtrajtim të punëtorëve nuk është keqtrajtim nga Kuvendi por nga Kompania sepse ajo i menaxhon punëtorët, duke paralajmëruar se si kryesi do t’i drejtohen kompanisë. “Në këtë kryesi kemi kërkuar një sërë vlerësimesh e hetimesh të kontratave që kanë qenë në fuqi të mandateve paraprake. Në çdo mbledhje kam kërkuar që të ulen shpenzimet. Dhe në këtë vit ka ulje të shpenzimeve që nuk i keni parë në historinë e Kuvendit”, ka thënë ajo.
Osmani i është përgjigjur pyetjes së deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu. Ajo i ka quajtur investime koti, punimet që po ndodhin në aneksin e Kuvendit. “Para dy viteve aneksi është ndërtuar dhe nuk e di pse pas dy vitesh u dashtë të bëhen renovime që unë nuk po i shoh. A është ndëshkuar kompania që i ka kryer punimet para dy vitesh kush jep llogari dhe pse këto shpenzime koti. Dhe një problem në vete janë shqetësimet që marr nga punëtorët që po i kryejnë punimet unë nuk e di cila është firma dhe nuk me intereson por kërkoj trajtim të dinjitetshëm”, ka thënë ajo.