Osmani: Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Zijadin Gashit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen e gazetarit Zijadin Gashi, i cili ka ndërruar jetë sot.

Në telegramin e presidentes thuhet se me pikëllim të thellë ka pranuar lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit Zijadin Gashi

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Zijadin Gashit, gazetarit të përkushtuar, i cili tërë jetën ia kushtoi punës në media. Karriera e gjatë dhe kontributi i tij në median e shkruar, elektronike dhe televizive u karakterizuan nga integriteti dhe angazhimi i palëkundur për informim të publikut, saktë dhe në mënyrë profesionale”, thuhet në telegramin e presidentes.

Tutje, presidentja ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe komunitetit të gazetarëve.

“Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Zijadin Gashi”.