Osmani: Populli në Bosnje e Hercegovinë dhe ai në Kosovë ishin viktima të regjimit gjenocidal serb
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se me Rezolutën e miratuar për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë, Kosova zyrtarizoi qëndrimin e institucioneve dhe popullit të saj.Osmani ka pohuar se duhet të ketë drejtësi për të gjitha krimet e regjimit të Millosheviçit, transmeton Telegrafi.“Me këtë rezolutë Kuvendi e zyrtarizoi qëndrimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës karshi gjenocidit serb ndaj qytetarëve boshnjakë të Srebrenicës. Për më tepër, nëpërmjet kësaj Rezolute, dënohet mohimi i qëllimshëm e publik i krimit të gjenocidit”, ka thënë Osmani.Më tej, ajo ka shtuar se “ tmerri që ka përjetuar një popull i tërë në Bosnje dhe Hercegovinë, e më pas edhe në Kosovë, të dyja viktima të regjimit gjenocidal serb, duhet t’i thërrasë ndërgjegjes njerëzore që synime të tilla shfarosëse të mos lejohen më në të ardhmen, e mbi të gjitha që të ketë drejtësi për krimet e regjimit të Millosheviçit”.“Kohë më parë, Kuvendi i Republikës së Kosovës kishte miratuar Rezolutë edhe për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Tani është koha që të kemi angazhim të përbashkët që të binden shtetet në përkrahje të Kosovës që të miratojnë rezoluta të ngjashme”, thotë ajo.Presidentja pohon se “duke thënë të vërtetën, ne ndihmojmë në shërimin e plagëve të thella të luftës. E krimet e kryera nga regjimi i atëhershëm serb duhet të quhen me emrin e tyre të vërtetë: gjenocid”.Ndryshe, me 89 vota pro, Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot Rezolutën që dënon gjenocidin e regjimit serb në Srebrenicë. Rezoluta përmban gjashtë pika, ku pika numër një thotë se “dënohet ashpër gjenocidin e regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut”. /Telegrafi/