Osmani: Të masakruarit e Reçakut trokasin çdo ditë në ndërgjegjen tonë, propaganda e Vuçiqit i masakroi edhe një herë

Presidentja Vjosa Osmani tha se 45 civilët e masakruar 24 vjet më parë në Reçak të Shtimes trokasin çdo ditë në ndërgjegjen e secilit për drejtësi. Këto komente Osmani i bëri në akademinë përkujtimore të Masakrës së Reçakut.Osmani tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ishte përkujdesur t’i masakronte edhe një herë viktimat me propagandën të cilës i printe pas masakrës. “Sot kur i kujtojmë me dhembje të dashurit tanë, të cilëve makineria e dhunës ua këputi jetën vetëm e vetëm sepse ata ishin shqiptarë, sepse donin të jetonin të lirë, detyrimi për të siguruar drejtësi për ta e për të gjitha viktimat gjithandej Kosovës, bëhet synimi ynë më i madh më i rëndësishëm. Sepse historia e secilit prej tyre, është historia e Kosovës”, tha presidentja. “Ky moment kthese lidhej edhe me një emër e një njeri, ambasadori William Walker, i cili edhe sot, njësoj si në vitin 99 e çdo vit pas tij, është këtu bashkë me banorët e Reçakut, bashkë me familjen e bashkë me të gjithë Kosovës”, shtoi ajo.“Krimet e kryera në Reçak i dëshmuan botës për tragjedinë që po e përjetonin shqiptarët, duke e bërë të pashmangshme ndërhyrjen e botës demokratike për të ndalur këtë makineri vrastare. Kodra e Bebushit u shndërrua në vendin në të cilin krimet kundër njerëzimit nuk mund të fshiheshin më nga makineria Millosheviqiane”, u shpreh presidentja.