Osmani ushtarëve të FSK-së: Qëndroni të gatshëm e të përgatitur që gjithnjë t’i dilni në mbrojtje atdheut

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në fjalim vjetor para FSK-së, u ka bërë thirrje që të qëndrojnë të gatshëm e të përgatitur që gjithmonë t’i dalin në mbrojtje atdheut, shkruan Reporteri.net.

Osmani ka thënë se për të gjithë ata që përpiqen ta sfidojnë paqen e lirinë tonë, do ta kuptojnë se nuk ka asgjë që mundë vullnetin e popullit tonë që të jetojë i lirë dhe i pavarur.

Kjo thotë presidentja se është dëshmuar edhe më 1999.

“Qëndroni të gatshëm dhe të përgatitur që gjithnjë t’i dilni në mbrojtje atdheut. Viti i ri që po vjen uroj të sjellë në familjet tuaja dhe te të gjithë qytetarët paqe, siguri e prosperitet. E për të gjithë ata që dëshirojnë ta sfidojnë paqen e ta sfidojnë lirinë tonë t’ua përkujtojmë edhe një herë po nga këtu që nuk ka asgjë që arrin ta mundë vullnetin e një populli që dëshiron të jetojë i lirë dhe i pavarur. E kemi dëshmuar edhe këtë me UÇK-në në vitin 1999. Çdo ditë kur ta vishni këtë uniformë të shenjtë, mos harroni sakrificën që është bërë që të vijë kjo ditë e gjakun që është derdhur”, tha Osmani ndër të tjera në fjalimin e saj.

Fjalimi i presidentes Osmani para FSK-së vjen pikërisht në kohën kur Serbia ka rritur kërcënimet duke e vënë ushtrinë në gatishmërinë më të lartë ushtarake.