Pacientët me COVID-19 në Kosovë shfaqin probleme me kujtesë pas tejkalimit të infektimit
Disa pacientë të infektuar me Coronavirus në Kosovë, kanë filluar të shfaqin probleme me kujtesë pas tejkalimit të këtij infektimi, transmeton Insajderi.Kaltrina Jupolli-Sejdiu, 30-vjeçare nga Prishtina deri para muajit nëntor të vitit të kaluar, nuk ka pasur asnjë problem me kujtesën. Por, prej kur është shëruar nga sëmundja COVID-19, humbja e kujtesës i është bërë pjesë e përditshmërisë.“Harresën e kam aty për aty, nuk më ka ndodhur më herët që dikush të më dhuroj diçka e ta harroj menjëherë, e kjo po më ndodh aq shpesh. Po e vërej sepse unë me kujtesë kam qenë shumë mirë”, thotë ajo, raporton REL.Shqetësime me humbje të kujtesës ka edhe F.S, që ishte infektuar me Coronavirus para tre muajsh.“Probleme me harresën kam pasur pas një muaj pasi e kam përfunduar virusin dhe shpesh më ndodh brenda dy-tri orëve harroj se çfarë ka ndodhur”, tregon për Radion Evropa e Lirë, F.S.Që efektet e COVID-19 janë afatgjata e konfirmon edhe mikrobiologu, Lul Raka.Ai tregon që te disa persona ky virus shkakton simptoma që mund të zgjasin deri në 12 javë pas infeksionit.Një dukuri e tillë sipas Rakës njihet me termin ‘Sindroma post-COVID’ apo ‘COVID-i i gjatë’. Sipas tij, ndonëse në fillim është menduar që këto simptoma paraqiten vetëm te pacientët që e kalojnë me vështirësi COVID-19, tani hulumtimet e thonë që këto shqetësime shëndetësore paraqiten edhe te të rinjtë.“Simptomat më të shpeshta te këta persona janë të ndryshme dhe përfshijnë: lodhje, rraskapitje, frymëzëni, rrahje të shpejta të zemrës pas një ngarkese minimale, dhimbje gjoksi, pezmatim të muskulit të zemrës apo mbështjellësit të tij, ndryshime lëkurore, çrregullime të gjumit, rënie e flokëve, kokëdhimbje, harresë apo pamundësi e koncentrimit, depresion, ethe që përsëriten, ngjirje e zërit, dhimbje të kyçeve, dhimbje veshi dhe barkqitje”, thotë Raka.