Pacientët me Covid po blejnë oksigjen të pasigurt në pompa të benzinës, me çmim deri në 215 euro

0

Spitali i Gjilanit ka më shumë se një javë që ka kërkuar furnizim emergjent me oksigjen, për shkak të rasteve të shumta të hospitalizuara me COVID-19. Në mungesë të oksigjenit, pacientët janë detyruar ta blejnë atë në pika karburantesh.


Ka më shumë se një javë që Spitali i Gjilanit po ballafaqohet me mungesë të oksigjenit, i cili është shumë i nevojshëm për pacientët e infektuar me COVID-19. Në mungesë të tij, pacientët janë detyruar ta blejnë atë në pika karburantesh.

E ky oksigjen, i cili nuk është as medicinal, me gjithë pajisjet tjera po u kushton atyre mbi 200 euro.

Ridvan Murati, i cili që nga vitet e ’90-ta merret me shitjen e oksigjenit në komunën e Gjilanit, ka thënë për Express se ka pasur kërkesa të shumta nga qytetarët për furnizim me oksigjen.

Ai ka thënë se oksigjeni që ata e shesin është teknik dhe jo medicinal, por është në përgjegjësinë e qytetarëve se si e përdorin atë.

Sipas tij, një bombol me oksigjen dhe pajisje të tjera të nevojshme po e shesin për 215 euro.

“Ne nuk kemi pasur marrëveshje të lidhur me Spitalin e Gjilanit, por vetë qytetarët kanë ardhur te ne. 15 euro është boca me oksigjen, pastaj janë pajisjet tjera që me të kushtojnë 215 euro, por nëse pacientët i kthejnë pajisjet, atëherë mjetet u kthehen”, ka thënë ai.

Murati ka thënë tutje se për shkak të mungesës së operatorëve të licencuar, ata kanë ndihmuar qytetarët sa i përket furnizimit me oksigjen.

Sipas tij, kërkesat e qytetarëve për furnizim janë rritur së fundmi.

“Ne kemi kërkuar furnizim prapë por ka mungesë të oksigjenit. Kërkesat e qytetarëve janë rritur, por nuk po kemi çfarë të bëjmë ne, duhet të ndërmarrin masa institucionet e jo ne”, ka thënë ai.

Se qytetarët po furnizohen me oksigjen në pika të karburanteve, e ka pohuar edhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.

Ai ka thënë për Express se qe dhjetë ditë e kanë ngritur çështjen e mungesës së oksigjenit.

“Nuk është diçka risi për ne mungesa e oksigjenit, sepse si komunë e kemi ngritur këtë shqetësim që 10 ditë. Nuk është se Spitali i Gjilanit nuk ka oksigjen, por ka jashtëzakonisht shumë vështirësi në furnizim. Nëse spitali ka rezerva të oksigjenit vetëm për një ditë, atëherë është rrezik për qytetarët. Ky është shqetësimi ynë”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se si Komunë nuk e dinë nëse oksigjeni që po marrin qytetarët nga pikat e karburanteve është i sigurt, dhe se, sipas tij, kjo është përgjegjësi e Spitalit të Gjilanit.

Përndryshe, Ismajli ka bërë të ditur që tani janë në kontakt edhe me kryetarin e Kumanovës, për furnizim me oksigjen nga kjo komunë.

Megjithatë, edhe pse po deklarohet se ka vështirësi në furnizim, Spitali i Gjilanit nuk e ka pranuar se pacientët janë detyruar ta blejnë vetë oksigjenin.

Drejtori klinik në këtë spital, Ukshin Ismajli, ka thënë për gazetën se asnjëherë nuk kanë mbetur pa oksigjen, që rrjedhimisht edhe nuk kanë kërkuar nga pacientët që ta blejnë atë.

“Pa oksigjen asnjëherë të vetme nuk ka mbetë spitali. Në momentin që ne nuk kemi mbetur pa oksigjen, nuk e kemi kërkuar një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Derisa spitalet rajonale po vazhdojnë të kenë mungesë të oksigjenit, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se furnizimi nuk është në kompetencën e saj.

Ndërsa, vetë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë ditë më parë se ka furnizim me oksigjen dhe se nuk duhet të krijohet panik te qytetarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *