Pacolli: Deklarata e Pavarësisë, dokumenti më i bukur në jetë që kam firmosur
Në prag të përvjetorit të 14-të të shtetësisë së Kosovës, liderë partiakë e protagonistë të ndryshëm kanë uruar për Ditën e Pavarësisë.Njëri ndër ta është edhe kreu i AKR-së dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli.“Nga zemra uroj të gjithë shqiptarët, kudo, me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Nesër po bëhen 14 vjet kur ne shpallëm pavarësinë, të cilën e kishim ëndërruar kaq gjatë. Rrugëtimi nuk ishte i lehtë dhe vazhdon të mos jetë, por duhet të punojmë të gjithë së bashku për të forcuar vendin tonë dhe për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve”, ka shkruar Pacolli në Facebook, përcjell Telegrafi.Pacolli me këtë rast iu ka bërë thirrje të rinjve që të qëndrojnë në atdhe dhe mos të marrin rrugën e mërgimit.“Duke u dhënë motiv dhe vullnet të qëndrojnë në vend, dhe jo të ëndërrojnë largimin. Kjo ishte edhe ëndrra e heronjve tanë, të cilët dhanë edhe jetën për Kosovë, e të cilët ne sot dhe përgjithmonë duhet ti kujtojmë”.Pacolli i cili ishte deputetë edhe në Kuvendin që shpalli pavarësinë, firmën e tij në Deklaratën e Pavarësisë e konsideron më të bukurën në jetë.“Nga të gjitha dokumentet që kam firmosur në jetë, Deklarata e Pavarësisë vazhdon të jetë më e bukura e jetës sime. Urime gjithëve kjo ditë e madhe”, ka shkruar tutje Pacolli./Telegrafi/