Pacolli: Kosova ka nevojë për presidentin Thaçi
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Bexhet Pacolli thotë se Kosova Ka nevojë për ish-presidentin Hashim Thaçi, sepse, ndërtimi i shtetit të Kosovës sipas tij nuk ka përfunduar ende.Në një intervistë për “Kosovo Online”, Pacolli tha se Kosova duhet ta gjejë një mënyrë për ta krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa theksoi se kriza e fundit në veri të Kosovë është “pasqyrim i një situate që po vazhdon prej vitesh”. Ai foli edhe për dialogun me Serbinë, zgjedhjet lokale, vizitën që ua bëri krerëve të UÇK-së në Hagë, si dhe u përgjigj në pyetjen se cili ndërmjet Hashim Thaçit e Albin Kurtit ishte udhëheqës më i mirë.KO: Si e komentoni krizën e fundit në veri të Kosovës dhe tërheqjen e policisë, opozita thotë se është humbje e Kurtit përballë Vuçiqit, cili është pozicioni juaj?Një reflektim i mungesës së vizionit për zgjidhjen e sfidave, problemeve që kemi në rrugën tonë drejt shtetndërtimit dhe me Serbinë fqinje, dhe integrimin e plotë në bashkësinë ndërkombëtare. Është gjithashtu një pasqyrim i dallimeve të shpeshta që kemi me aleatët dhe rezultat i ndryshimit të situatës në rajon dhe Evropë, ku gjeopolitika (për shkak të shumë faktorëve) e forcon Serbinë e Vuçiqit dhe e bën atë edhe më agresive seç ishte. Kosova ka të drejtën sovrane për të aplikuar masa reciproke në çdo fushë (siç janë targat), kur një shtet tjetër nuk respekton standardet e njëjta me qytetarët tanë dhe shtetin tonë. Masa të tilla, si ato të fundit, duhet të ishin komunikuar dhe koordinuar paraprakisht me partnerët tanë, siç janë SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Në fund të fundit, Kurti më në fund ka dhënë shenjat e para për t’u bërë një politikan i bindur që pranon detyrimet shtetërore, si marrëveshja e Brukselit.Kurti, kur bëhet fjalë për bisedime, pavarësisht se premtoi të negociojë marrëveshje më të mira, nuk ka arritur të bëjë asgjë më mirë se sa ishte. Përkundrazi, besoj se ishte strategjikisht e gabuar që Njësia Speciale e Policisë së Kosovës të bëhej pjesë e marrëveshjes. Tani, vështirë se do t’i shohim pasojat, por kam frikë se do të ndodhë herët a vonë. Kam frikë se do të ndodhë që sa herë që diçka duhet të bëhet në veri, ne do të kthehemi në Bruksel. Nuk mund të them që kjo marrëveshje e fundit ishte e mirë sepse është një marrëveshje për de-eksalim, dhe ajo që e bën atë edhe më problematike është fakti që veriu po kthehet në një zonë të veçantë konflikti. Kjo duhet të shmanget nga politika e Kosovës me çdo kusht dhe kërkon konsensus dhe koordinim të qeverisë me opozitën dhe partnerët ndërkombëtarë.KO: Beogradi pret që Prishtina t’i zbatojë pikat nga Marrëveshja e Brukselit në lidhje me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. A mendoni se është e mundur që institucionet e Kosovës ta shmangin këtë detyrim?