PANDEMIA DO T’I NDRYSHOJË SHUMË TRADITA, POR EDHE MENDËSINË TONË PËR JETEN Shkruan;Prof. Dr. Nexhat Çoçaj
Populli gjatë rrugëtimit të tij është përballur me shumë pandemi, të cilat gjithsesi secila në mënyrën e vet e kanë ndryshuar mënyrën e jetës. Sipas të dhënave historike në secilin shekull populli është përballur me një deri në tri pandemi brenda një shekulli dhe varësisht nga numri i viktimave, që kanë shkaktuar ka ndikuar në ndryshimin e jetës e bashkë me te edhe ndryshimin e traditave.
Pandemia e fundit, që ka goditur rënd popullin shqiptar ka qenë a jo e fillimit të shekullit XX, e cila ka marrë shumë jetë njerëzish, por karshi jetëve të njerëzve ka ndikuar edhe në ndryshimin dhe transformimin e shumë traditave.
Nisur nga e kaluara, mund të themi se edhe pandemia e Covid 19, por mbi të gjitha varësisht se edhe për sa kohë do të zgjas kjo pandemi edhe do të v arën ndryshimet e traditave. Kështu pandemia do të përfundojë në fund të këtij viti, përkatësisht më së largu deri në fillim të pranverës së vitit të ardhshëm ndryshimet do të jenë jo shumë të dukshme, përkatësisht nuk do të ndryshohen shumë. E nëse pandemia zgjat, përkatësisht pasojat e pandemisë zgjasin më shumë se deri në pranverën e vitit 2021, atëherë do të përballemi me ndryshime më të mëdha, për të mos thënë me ndryshime rrënjësore.
Por, siç po shihet edhe në këto rrethana, që po jetojmë të shoqëruar me pandeminë Covit 19, jemi të bindur se në masë të dukshme do të ndikojë në transferimin e shumë traditave dhe ceremonive familjare, të cilat ndryshime veç kanë nisë të hetohen nga popullsia jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën.
Në radhë të parë do të ndryshojnë ceremonitë familjare, e në radhë të parë dasmat, të cilat kanë qenë shumë masovike në gjithë hapësirën shqiptare. Pandemia do të ndikojë drejtpërsëdrejti në ndryshimin e mënyrës së dasmës, ku për një kohë të gjatë më nuk do të ketë vullnet e as dëshirë që dasmat të bëhen masovike, por dukshëm do të zvogëlohet pjesëmarrja në dasma. Njerëzit do të kuptojnë se çiftet e reja do të martohen edhe me ceremoni të kufizuara deri në maksimum. Në këtë mënyrë do të mësohemi që dasmat edhe ne shqiptarët t’i bëjmë si e gjithë bota me një numër të kufizuar të njerëzve, ku pos numrit të kufizuar të pjesëmarrësve do të kufizohen edhe shpenzimet dhe mënyra e organizimit evenimenteve të dasmës.
Do ta kuptojmë se dasmat mund të bëhen edhe me 50 veta, në vend të 500 vetave. Do të mësohemi që dasmat jo domosdoshmërish duhet të bëhen me patjetër vetëm nëpër restorante, por edhe nëpër ambiente të hapura në kopshte e në pishina.
Do të mësohemi që dasma mund të organizohet vetëm me rrethin e ngushtë familjar.
Ndonëse ceremonitë e dasmave në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë të bëjnë në mënyrë zingjirore me ekonominë e vendit, nëse pandemia nuk zgjatë shumë, mbase edhe nuk do të ketë ndryshime të mëdha edhe pse jo edhe pa ndryshime e në veçanti në numrin e madh të dasmorëve.
Do të mësohemi që ta vazhdojmë jetën pa shtrëngim duarsh e pa përqafime.
Por ndryshimet më të mëdha do të hetohen në ritet e vdekjes.
Ritet e vdekjes si pasojë e pandemisë në plan të parë do të ndikojnë në zbehjen e dhembjes për të vdekurin në përgjithësi, pavarësisht afërsisë, gjinisë, moshës. Njerëzit do të përqendrohen më shumë në ruajtjen e të gjallëve, përkatësisht do të jenë më të kujdesshëm në ruajtjen e jetës së të gjallëve.
Vdekjet e befasishme, të papritura, si pasojë e Corona Virusit Covit 19, do ta ndryshojnë mendësinë e njerëzve që njeriu të jetë më i përqendruar në mbrojtjen e të gjallëve. Pajtimi me vdekjen, do të jetë më i lehtë dhe së këndejmi njeriu do të mësohet me vdekjet e papritura dhe do t’i duket normale kur të dëgjojë se ka vdekur dikush nga një sëmundje e rëndë, apo edhe nga mosha. Në këtë aspekt do të jenë shumë të të kufizuara vizitat nga frika se mund të marrin njerëzit virusin vdekjeprurës nëpër ceremoni mortore.
Nuk do të ketë më shtrëngim duarsh, por përshëndetje në distancë.
Nuk do të ketë më pjesëmarrje masive nëpër varrime e as në ngushëllime.
Pandemia në masë të madhe do të ndikojë edhe në aspektin e besimit. Njerëzit do të mësohen se nuk do të ketë njeri të paprekur nga sëmundja. Mungesa e zhvillimit të ceremonive fetare, do ta bind opinion se edhe klerikët mund të jenë bartës të infeksionit e të sëmundjes. Ashtu siç mund të jenë bartës të infeksionit edhe vet mjekët.
Pra me pakë fjalë, do të ndryshojë edhe mënyra e lëvizjes së njerëzve, mënyra e shëtitjes, mënyra e organizimit të sistemit shkollor dhe në përgjithësi jeta.
Në fund mund të them se ne populli shqiptar, qe jemi mësuar të jetojmë në mes të dallgëve të jetës, në mes të sfidave, mbase do ta kemi më lehtë që t’i përballojmë. Por, sado që do t’i përballojmë ndryshime do të ketë.
Ritet dhe traditat e sotme, do të jenë vetëm pjesë e kujtesës etnografike, ashtu siç kanë qenë dikur ritet pagane, të cilat gjatë udhëtimit nëpër shekuj kanë ndryshuar dhe deri më sot kanë mbetur vetëm disa forma të shkurtuara të atyre riteve. Të tilla shkurtime do të kemi edhe në të ardhmen.’’/qendrapress.com/