PANDEMIA NDRYSHOI RITMIN E PËRDITËSHMËRISË Shkruan; Çerkin Bytyçi
Si rrjedhë e pandemisë aktuale, në përditshmëri po përjetojmë një tjetërsim dhe, mendoj se në të ardhmen e afërt, si pasojë e gjithë kësaj, nuk do të jet më ashtu siç ishte më parë. Duke filluar nga takimet tona, format e përshëndetjes pa shtërngim duarsh e pa përqafim edhe me më të dashurit, pastaj mungesa e mundësisë së shfaqjes së emocioneve përmes mimikës, përshkak të mbulesës së fytyrës, shmangja e takimeve me njëri tjetrin, mundësitë e kufizuara të komunikimit normal dhe elemente tjera të ngjashme, janë shprehje e ç‘rregullimit të normalitetit në përditshmëri. Veçanërisht, Corona ndikoi në ndryshimin e raporteve në sferën e tradicionales. Organizimet e gazmendeve familjare, në të shumtën e rasteve, përkundër planifikimit me kohë siç zakonisht bëhet, dështuan. Bie fjala, dasmat të cilave u gëzohemi të gjithë, në këtë verë ishin të pakta. Edhe ato disa që janë organizuar, mendoj se i ka përshkuar frika nga pandemia, nuk kanë qenë fare masovike siç rëndomë ndodhë, kanë munguar mërgimtarët të cilët gazmendeve familjare, pa dallim, u japin gjallëri dhe hieshi të veçantë.
Është ç‘rregulluar madje edhe tradita e organizimeve mortore, varrimet e të ndjerëve pa pjesëmarrjen e rrethit më të ngusht familjar, pa të pamet tradicionale etj. Është fatkeqësi që në varrimet e disa personaliteteve të shquara, nuk janë mbajtur fare fjalime mortore për të ndjerët. Nuk është thënë as edhe një fjalë e vetme. Ata, tejet të merituar, madje nuk u përkujtuan fare as me organizimet më të vogla.
Natyrisht që është mirë që u respektuan rekomandimet e institucioneve shtetërore dhe se kështu duhet të jet edhe mëtej, duke e shtuar edhe më shumë kujdesin dhe duke mbrojtur veten mbrojmë familjarët e të gjithë të tjerët, por, megjithatë, tash, duke respektuar distancën dhe rregullat tjera, do të ishte e rëndësishme që të përkujtohen me takime rasti të ndjerit meritat e të cilëve në arsim, kulturë, ekonomi e sfera tjera, vlerësohen e çmohen.
Pasojat e pandemisë janë të dukshme edhe në segmentet tjera shoqërore, në ekonomi, financa, punësim, konsum etj., sepse ka ndryshuar ritmi i jetës së përditshme, janë pezulluar kontaktet sociale, kurse pasojat e mungesës së mësimit në banka shkollore, do të jenë te ndieshme jo vetëm në aspektin e mësimnxënjes.
Dhe, frika nga pandemia, bëri që pak sa më shumë të forcohen raportet familjare përkatësisht familjet të kenë kohë më shumë për vete, për biseda, shoqërim, lojë, ushqim të përbashkët dhe të gatuar në shtëpi. Edhe libri, që ishte anashkaluar, iu kthye më shumë lexuesit. U detyruam vallë që më shumë t’a çmojmë e respektojmë veten?!
Jam i bindur se me një përkushtim më të madh, do t‘ia dalim me sukses kësaj sfide, duke u shprehur mirënjohje të përhershme mantelbardhëve të palodhur, zyrtarëve policorë, mësimdhënësve, zjarrfiksëve, furnizuesëve dhe punëtorëve në shitore, furrtarëve dhe gjithë të tjerëve të cilët pa u lodhur janë në shërbim dhe në të mirën tonë.”/qendrapress.com/