Pandemia që na mbajti “në alarm” – kronologjia e ngjarjeve që ndodhën në Kosovë, gjatë vitit 2020
Bota po pëson shumë nga kjo sëmundje dhe njerëzimi ka filluar të mbyllet për muaj të tërë prej një virusi që shpeshherë po del të jetë i lehtë, por nuk po kursen as jetë njerëzish.
Pothuajse gjithçka “ka rënë në gjumë”, ekonomitë kanë filluar të shkatërrohen, shkollat e universitetet po mbyllen, madje edhe përshëndetjet ka kohë që kanë ndryshuar.
Çdo proces në çdo aspekt po shkonte në rrjedhën e vet, në muajt e parë të vitit 2020.
Virusi kishte filluar të përhapej edhe në vendet e rajonit. Ndërkohë, që në Kosovë u morën disa masa parandaluese.
Shkollat u mbyllen, u pezulluan linjat e udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me rrezik të lartë, ekipet mjekësore të QKMF-ve ishin të obliguara të kontrollonin hyrje-daljet në Kosovë.
Vet-karantinimi ishte i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë. Kafiteritë, klubet e natës, palestrat e pishinat mbylleshin në orën 23:00.
Mesi i muajit mars do të bënte kthesën më të papritur në rrjedhën e jetës, rrugë e nisur në kontinentin aziatik.
Sëmundja enigmatike përshkoi edhe Kosovën, pa ditur se çfarë do të sjellë tutje.
Deri në këtë kohë u testuan 95 persona të dyshuar, por të njëjtit rezultuan negativ. 13 marsi i vitit 2020 do jetë i gdhendur në historinë e vendit, fatkeqësisht aspak për të mirë.
Atë ditë u konfirmuan dy rastet e para me infeksionin që kishte ngritur në këmbë gjithë botën.
Njëri nga të konfirmuarit pozitiv me COVID-19, ishte shtetase italiane e moshës 20-vjeçare, kurse pacienti i dytë, kosovar i moshës 77-vjeçare.
“Pas kryerjes së analizave në laboratorin e mikrobiologjisë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për SARS-COV 2 për 15 raste të dyshimta në Covid-19, dy (2) prej tyre kanë rezultuar pozitive. Pacientët e konfirmuar pozitiv gjenden të shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK-së dhe gjendja shëndetësore e tyre rezulton të jetë stabile”, kishte thënë Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë.
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës
“I ftoj të gjithë qytetarët për qetësi, që të mos frikësohen e mos të bëjnë panik dhe të mos paraqiten në Klinikën Infektive nëse nuk kanë shenja të sëmundjes. Ministria e Shëndetësisë e ka vënë në dispozicion linjën telefonike për informim e këshillim”, u deklarua Kurti.
Të nesërmen, personi i tretë i infektuar ishte i afërm me 77 vjeçarin nga Stublla e Vitisë.
Vitia, Klina e Malisheva, ishin tri vendet e para të cilat u karantinuan.
Dy ditë pas, u konfirmuan katër raste të reja me coronavirus, tri nga Malisheva dhe një nga Podujeva. Pas rasteve të reja, Ministria e Shëndetësisë i rekomandoi Qeverisë së Kosovës shpalljen e gjendjes publike emergjente shëndetësore në vend.
Ditën e 22 marsit, u shënua viktima e parë, që humbi betejën me këtë virus famëkeq. Bëhej fjalë për 86 vjeçarin, i cili kishte ardhur nga Italia.
Familjarët nuk po merrnin pjesë as në lamtumirën e fundit të anëtarëve tyre të familjes, të preknin arkivolin, gjithçka po shikohej nga distanca.
Vdekjet ende nuk po mund t’i ndalin as profesionistët, pavarësisht përpjekjeve të tyre.
Frikë, pasiguri, panik, e mobilizim. Qytetarët e institucionet ende nuk e dinin se çfarë mund të ndodhte nga momenti në moment. Tashmë gjithçka kishte ndryshuar, gatishmëria ishte që situata të sjellë befasi nga më të ndryshmet.
“Këto janë dy javët vendimtare”, kjo ishte fjalia që dëgjohej më së shpeshti nga profesionistët shëndetësorë.
“Rekomandimet e dhëna në të gjitha nivelet praktikisht e kanë bazën dhe fundamentin tek qytetari. Ne u kemi rekomanduar qytetarëve që t’iu përmbahen strikt rregullave dhe rekomandimeve të Institutit Kombëtar, të OBSH-së në mënyrë që të tejkalohet më shpejt kjo situatë duke mbajtur distancë 2 metra – kjo neve na mundëson që të japim edhe prognozën më të mirë epidemiologjike, nëse ju i përmbaheni rregullave”, kishte thënë Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Ethe, kollë, temperaturë, vështirësi në frymëmarrje, humbje e shijes dhe nuhatjes. Këto ishin disa nga simptomat e këtij virusi, pothuajse të panjohur.
Me qëllim të mbrojtjes nga përhapja e virusit COVID-19, institucionet shtetërore filluan të merrnin vendime të rrepta.
Të gjitha këto vendime të pazakonta kishin të përbashkëta, nuk dihej sa zgjasin dhe në çdo moment mund të ndryshonin.
Masat e rrepta, krijonin atmosferë zymtësie e heshtjeje në tërë vendin.
23 marsi ishte dita me më së shumti raste me coronavirus në Kosovë që nga dita kur u shfaq rasti i parë.
Atë ditë u konfirmuan 28 raste pozitive me koronavirus.
Një javë pas rasteve të para, u ndalua edhe qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga ora 10:00 deri në orën 16:00 dhe prej orës 20:00 deri në 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale.
Qytetarëve u bëhej thirrje për mos-respektim të këtyre masave, meqë vendimet konsideroheshin anti-kushtetuese.
“Qeveria Kurti sonte ka shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Kosovës”
“Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij sonte kanë shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Është e pa përgjegjshme institucionalisht dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Vendimi për kufizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve paraqet shmangie në të drejtat e lirive të njeriut që garantohen me Kushtetutën e Kosovës. Kufizimi i lirive të drejtave të qytetarëve, sipas të parit të shtetit mund të bëhet vetëm nëse shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Dhe gjendjen e jashtëzakonshme mund ta shpall vetëm Kuvendi i Republikës së Kosovës ”, tha Hashim Thaçi, president i Kosovës.
Në fund të muajit, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se “kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ndërkohë që e shpalli të pavlefshëm vendimin e datës 23 për kufizim të lëvizjes.
Sheshet e kryeqytetit “Skënderbeu”, “Nënë Tereza” dha “Zahir Pajaziti”, u rrethuan me shirita, ku ndalohej mbledhja në këto hapësira.
Rrugët e qyteteve u boshatisën, numrat e të infektuarve u rritën. Rastet e para të të infektuarve me këtë virus ishin të ardhura nga jashtë vendit. Por, shumë shpejt edhe vendasit filluan të preken nga virusi, që më trishtues e bënte mungesa e informacioneve të sakta rreth tij.
Derisa institucionet vazhdonin të merrnin vendime, që i mbyllnin njerëzit në shtëpi, diku filloi mbipopullimi.
Dyert e institucioneve shëndetësore u hapën si kurrë më parë.
Stafi mjekësorë përjetoi vrullin shekullor të punës. Gjithçka i kthente ata në heronj të momentit. Thirrja e vazhdueshme: “RESPEKTIM I MASAVE”.
Valbon Krasniqi, infektolog
“E dimë që mbase është e vështirë për qytetarët të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi, por unë ju them keni durim edhe pak, qëndroni në shtëpi, respektoni masat. Nuk mjafton vetëm të qëndroni në shtëpi, sepse ne e dimë që ju duhet të dilni të blini gjërat e nevojshme, vazhdoni të respektoni higjienën personale. Nëse ju nuk e takoni virusin në rrugë, nëse nuk e takoni një person me simptomat e gripit, dhe ju nëse nuk keni prekur gjëra të ambientit të kontaminuar, atëherë gjasat për të marrë infeksionin janë të vogla”, deklaron Valbon Krasniqi.
Nëse jo e detyrueshme, vendosja e maskës ka qenë e këshillueshme në shumicën e vendeve në botë. Ajo konsiderohet që mbron të tjerët nga infektimi potencial.
Ndërkohë, shqetësimi i vazhdueshëm mbetej për kapacitetet e pakta në sistemin shëndetësor, tanimë të brishtë në vend.
“Kapaciteti jonë dihet është diku, është më pak se 100 respiratorë janë në sektorin publik. Një pjesë e këtyre respiratorëve madje janë në shfrytëzim nga kujdesi intensiv. Ne kujdesin intensiv nuk mund ta prekim sepse aty ka njerëz që pësojnë aksidente dhe kanë sëmundje të tjera dhe shkojnë kanë nevojë për kujdes intensiv. Një pjesë e respiratorëve veç janë të zënë. Kjo lakore, ngritja e lehtë ju mundëson dhe e ke luksin me prit donacion, sepse në qoftë se nuk ka shumë raste, të jep mundësi dhe rast për furnizim. Dhe ne e shohim tani se në krejt botën është problem furnizimi”, theksonte ndër të tjera Raka.
Disa barna esenciale për ftohje e simptoma të lehta gripi ishin tashmë më të kërkuarat. Radha vetëm se kishte filluar të shtohej.
Rreth 1 kilometër ishte radha e pritjes edhe për miell.
Sirtarët në dyqane kishin mbetur boshë. Frika vetëm se shtohej…
Gjithçka po dirigjohej nga diçka e padukshme dhe e ‘heshtur’, por që pushtetin e kishte shtrirë gjerë e gjatë të çdo cepi të kësaj toke.
Xhamitë e kishat kishin mbetur të madhërishme nga jashtë, por të zbehta e të zbrazëta nga brenda. E kundërta e objekteve banesore e shtëpive.
Numrat e të prekurve po shtoheshin edhe në komunat e tjera.
Ministria e Shëndetësisë futi në karantinë edhe Prishtinën. Në kryeqytet u konfirmuan 20 raste pozitive.
Masat po ndryshonin, këto ishin alternativë për parandalimin e përhapjes së mëtejme të virusit.
“Prej datës 15 prill 2020, prej orës 6 të mëngjesit ndalohet qarkullimi i personave fizik jashtë shtëpive dhe banesave të tyre në komuna, përveç rasteve në vijim: për personat fizik mbi 16-vjeç lejohet qarkullimi për nevoja si furnizim me ushqim, barna apo produkte higjienike, kafshë apo edhe shpezë dhe për të kryer punët apo pagesat bankare për vetëm një orë e gjysmë në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal”, deklaroi Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë.
Megjithatë, pati shpresë. Me fillim të majit vijuan lehtësimet e masave.
Lehtësimi i masave në Kosovë do të zhvillohej në tri faza. Faza e parë nga data 18, faza e dytë deri më 2 qershor. Ndërsa, faza e tretë me fillim të qershorit, ku lejohej transporti urban dhe ndër-urban, taksitë, gastronomia, provimet në arsimin e lartë, testi i maturës dhe arritshmërisë, hapja e kinemave, e teatrove dhe hapja selektive e aktiviteteve sportive.
Në anën tjetër, konviktet e Qendrës së Studentëve në Prishtinë, tash e sa muaj po shërbenin si karantinë për personat që hyjnë në Kosovë dhe ky vendim ishte marrë në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e korona virusit të ri.
Konviktet do të mbahen mend gjatë, tragjikisht humbi jetën një i ri.
Agon Musliu, 26-vjeçar nga Gjilani vdiq duke u hedhur nga kati i katërt.
Për këtë u akuzua ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia. Më pas u formua edhe një komision hetimor parlamentar lidhur me këtë rast.
Kritika pati edhe për numrin e vogël të testimeve.
Ani pse numrat e rasteve filluan të ulen, në vetëm pak ditë, autoritet shëndetësore filluan prapë të raportonin vdekjet e pacientëve dhe numrin e madh të rasteve me COVID-19.
Kosova u trondit, pasi në vetëm 48 orë autoritetet shëndetësore, raportuan vdekjen e 17 pacientëve me këtë infeksion.
Nga të afërmit e gjashtë viktimave, pati pretendime se vdekja e tyre mund të ketë ardhur nga mos-furnizimi mjaftueshëm me oksigjen. Për këtë filluan edhe hetimet.
Ndërkohë, u rikthyen sërish masat.
“Në qytetet ku ka numër të madh të infektuarve duke filluar nga sonte në Prishtinë, në Prizren, në Ferizaj dhe në Vushtrri do të kufizojmë komplet lëvizjen e qytetarëve nga ora 21 deri në orën 5 në mëngjes. Dhe nga dita e nesërme do të përcjellim në baza të rregullta ditore numrin e të infektuarve në secilin qytet, do ta shtojmë këtë listë qytete të tjera ose do të heqim nga kjo listë varësisht prej zhvillimeve…Sa i përket bizneseve, mbyllen të gjitha lokalet e gastronomisë nga ora 21 deri në orën 5 në mëngjes. Jashtë kësaj periudhe, këtij kufizimi, lejohet puna vetëm në hapësira të hapura dhe ajo që quhet take-away”, tha Avdullah Hoti, kryeministër i Kosovës.
Nga nëntori kufizimet përcaktoheshin në bazë të numrit të të infektuarve në shtatë ditët e fundit në 100.000 banorë.
Masat përcaktoheshin në bazë të kategorizimeve me zona: të kuqe, portokalltë dhe gjelbër.
Kjo situatë po krahasohej me luftë.
Tash e gati 10 muaj, Kosova po bashkëjeton me COVID-19, sëmundjen e cila paralizoi botën. Me shtimin e rasteve, trajtimi i pacientëve me coronavirus, përveç në Klinikën Infektive, po bëhet edhe në Klinikën e Pulmologjisë dhe atë të Neurologjisë, ndërsa rastet më të rënda edhe në Klinikën e Mjekësisë Sportive.
Trajtimi i këtyre rasteve po bëhet edhe në spitalet regjionale. Të shumtë janë laboratorët të cilat u licencuan për testime virologjike e serologjike.
Nga 1 korriku, kanë vdekur më shumë se 1200 persona, por ministri Armend Zemaj e cilëson punën e tij si të suksesshme.
“Nuk mund të them se kemi arritur të gjitha ato që i kemi synuar. Por, synimet tona kanë prodhuar sukses. Ky sukses pasqyrohet në menaxhimin e pandemisë, në furnizimin me barna, në pajisje të reja për spitalet tona”, deklaroi Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë.
Numri i rasteve pozitive ka kaluar numrin 50 mijë, mbi 1000 persona të vdekur, ndërsa mbi 40 mijë të tjerë të shëruar.
Derisa vdekjet po rriten nga dita në ditë, shumë shtete kanë filluar sigurimin e vaksinës e cila do ta stopojë virusin, dhe besohet se do t’ia kthejë lirinë botës.
Kosova aplikoi në dhjetor për sigurimin e kësaj vaksine, por ende nuk dihet se kur do vije.
Se kur do të mbeten maskat dhe coronavirusi në të kaluarën, vështirë të parashikohet. /kp/