Paralajmërimi i veteranëve për Kuvendin dhe Presidencën
Përfaqësuesit e veteranëve të luftës së UÇK-së, ia kanë bërë me dije presidentes Vjosa Osmani, që të mos e dekretojë projektligjin për pagën minimale pa përfshirjen edhe të kësaj kategorie.
Nga OVL-UÇK thonë se do ta bllokojnë çdo seancë që thirret nga kryesia, derisa të merren parasysh kërkesat e tyre. E, në presidencë kanë thënë për Kanal10 se ende nuk u ka shkuar projektligji, por do ta analizojnë sikurse gjithë tjerët.
Projektligji për pagën minimale, i miratuar të enjten, ku lihen jashtë rritjes së pensionit, veteranët e luftës së UÇK-së, ende nuk i ka shkuar presidentes për dekretim.
Mirëpo, organizatat e veteranëve të luftës, po kërkojnë e para e shtetit që ta kthej projektligjin dhe të merren parasysh kërkesat e tyre.
Megjithatë, në institucionin me të lartë të shtetit, thonë se po sa t’u shkoi ky projektligj, do ta analizojnë sikurse gjithë tjerët dhe pastaj do të vendosin.
“Ligji është ende në Kuvendin e Kosovës dhe nuk ka ardhur në Presidencë. Kur të vjen, do të analizohet sikurse edhe ligjet e tjera.”, tha Kupina – Këshilltar për Media i Presidentes.
Mirëpo, Veteranët e luftës, nuk po pajtohen me mos përfshirjen e tyre në këtë projektligj, me të cilin ngritët paga minimale në 264 euro.
Përfaqësuesit e OVL-UÇK-së, ia kanë bërë me dije presidencës dhe Kuvendit që t’i marrin parasysh kërkesat e tyre, për ndryshe do të vazhdojnë kundërshtimin në forma tjera.
Kryetari i OVL-UÇK-së në Pejë, Gazmend Syla, ka thënë se Organizatat e dala nga lufta tashmë kanë vendosur që ta bllokojnë secilën seancë të Kuvendit, kurdo që e cakton kryesia.
Për ta kundërshtuar këtë projektligj, të shtunën është protestuar në Prishtinë, përmes së cilës, shoqatat e të pagjeturve dhe organizatat e dala nga lufta u kanë bërë thirrje institucioneve që të reflektojnë.
Të enjten u miratua në lexim të dytë projektligji për pagën minimale, prej 264 euro.
Derisa, kategoritë e dala nga lufta nuk u përfshinë në të, pasi sipas kryeministrit Albin Kurti, kjo vlen për punëtorët që marrin pagë, e jo ata që marrin pension për vlerësim të kontributit në luftë.