Parashikimi i motit për javën e parë të vitit
Java e parë e janarit do të jetë me kushte pothuajse të ngjashme meteorologjike me javën e fundit të vitit që e lamë pas. Kjo si pasojë e masave të fuqishme anticiklonike të cilat janë stacionuar mbi Gadishullin tonë.Mëngjeset do të jenë me ngrica të dobëta, por temperaturat në mesditë do të jenë pothuaj pranverore.Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëron se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet-2 deri 2 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 7-13 gradë celsius. Në mëngjes në shumë vende parashihet të ketë mjegull si pasojë e rrezeve të diellit, presionit të lartë atmosferik dhe ndryshimit të tablos termike. Nuk parashihet që java e parë e këtij muaji të ketë reshje edhe pse sipas parashikimeve numerike data 7-8 kishte tendenca të ketë pak reshje. Parashikimet e fundit japin sinjale se reshje do të ketë diku me datë 10-11 janar.Kushtet biometeorologjike nuk do të jenë të favorshme, sidomos mëngjeset dhe mbrëmjet për shkak të këtij presioni të lartë atmosferik dhe lagështisë së madhe të ajrit, të cilët do të ndikojnë që ndotësit të përqendrohen në shtresa të ulëta të troposferes.Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimet e ndryshme.Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës thotë se viti 2022 u përmbyll me disa anomali, sidomos te shpërndarja e reshjeve nëpër muaj, numri i lartë i orëve me diell i cili ndryshon mesataret shumëvjeçare të regjistruara më parë në Kosovë dhe disa parametra tjerë.