Pas Bedri Hamzës reagon edhe Fadil Nura ndaj deputetit të VV’së: Me surratin e tij ballafaqohem në gjyq 
Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura ka reaguar pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Halil Thaçi, tha se kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza është takuar me zyrtarë të Listës Serbe.Nura thotë se Hamza ka qenë në takim me të dhe kryetarin e Vushtrrisë, Ferit Idrizi.“Halili i VV-së, të cilin mund ta admiroj vetëm për shkak të mbiemrit, egërsisht në një postim, paska deklaruar trillime që në gjuhën popullore mund të thuhet RRENË! Mes urrejtjes së shquar të VV ndaj fytyrave publike e njerëzve kredibil, veçmas ndaj PARTISË DEMOKRATIKE TË KOSOVËS, që kontributin dhe angazhimin e tyre i njeh historia, e bën të “mundur të ndodh” një takim që nuk ka ndodhur në të vërtetë”.Nura tha se pasi Hamza ka paralajmëruar padi ndaj deputetit Halil Thaçi, ai mezi po pret që të ftohet si dëshmitar.“Sipas gënjeshtrës së tij, Bedri Hamza dhe përfaqësues tjerë të PDK-së, janë takuar me përfaqësues të Listës Serbe. Dhe meqë kolegu Bedri Hamza ka paralajmëruar padi ndaj deputetit Halil Thaçi të VV-së, për shpifje, unë personalisht, si njëri ndër tre kryetarët (Bedri Hamza, Ferit Idrizi dhe unë) të pranishëm në takimin tonë të përbashkët, ku kemi diskutuar për çështje të interesit që na lidh puna e kompanisë Uniteti dhe tema tjera, nuk më pritet të ftohem si dëshmitar eventual në padinë e paralajmëruar nga Hamza, për t’u ballafaquar me surratin e tij në gjykatë”, ka shkruar Nura